Lajme nga Komuna

Nis realizimi i projektit për ndërtimin e parkingjeve publike në Dibër

Komuna e Dibrës ka filluar zbatimin e një prej projekteve të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, ndërtimin e parkingjeve publike, me qëllim përmirësimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe vizitorët.

Projekti bazë për parkingjet në qytetin e Dibrës (Libri 1 – Parkingu 2 dhe Parkingu 3) paraqet një investim me vlerë të përgjithshme prej 16.215.470 denarësh, i financuar nga Komuna e Dibrës. Punimet realizohen nga kompania kontraktuese ARH Konstruksion SHPK NJP – Tetovë, ndërsa mbikëqyrja profesionale kryhet nga MG PROEKT SHPK NJP – Shkup.

Ky projekt është rezultat i angazhimit të institucioneve lokale dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me nivelin qendror, duke dëshmuar përkushtimin e përbashkët për zhvillimin e Dibrës. Në këtë drejtim, vlerësohet mbështetja e vazhdueshme e përfaqësuesve të koalicionit VLEN, z. Bilall Kasami dhe z. Izet Mexhiti, të cilët kanë qenë mbështetës të projekteve që kontribuojnë në zhvillimin lokal dhe përmirësimin e infrastrukturës komunale.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve konkrete që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe krijojnë një qytet më funksional, më modern dhe më të organizuar për të gjithë.

Aksion për hapsirat publike

Falë bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Komunës së Dibrës dhe qytetarëve, janë liruar hapësira publike të zëna nga objekte pa leje.

Ky është një shembull i mirë i dialogut, mirëkuptimit dhe përgjegjësisë qytetare. Në këto hapësira do të realizohen projekte të rëndësishme për komunitetin, si parkingje publike, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim.

Së bashku po ndërtojmë një Dibër më të rregullt, më funksionale dhe më të bukur për të gjithë.

Aktivitet praktik nga Njësia e Zjarrfikësve – Dibër

Sot në SH.F.K. “Penestia” u mbajt një aktivitet praktik nga Njësia e Zjarrfikësve – Dibër për sigurinë dhe mbrojtjen nga zjarri. Gjatë aktivitetit, mësimdhënësit dhe stafi i shkollës u njohën me mënyrën e përdorimit të pajisjeve për shuarjen e zjarrit dhe me veprimet që duhen ndërmarrë në raste emergjente. Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në organizimin e aktiviteteve të tilla, që synojnë rritjen e sigurisë në institucionet arsimore dhe kontribuojnë në edukimin dhe përgatitjen e brezave të rinj.

Deratizimi dhe dezinsektimit në qytetin e Dibrës

Me sukses u realizua faza e parë e deratizimit dhe dezinsektimit në qytetin e Dibrës, ku u trajtuan 150 pusetat e rrjetit të kanalizimit. Njëkohësisht u krye edhe dezinsektimi kundër mushkonjave në të gjithë territorin e komunës, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe krijimin e kushteve më të sigurta për qytetarët.

NJOFTIM Për: SHOQATËN E BLETARËVE

Njoftohen të gjithë bletarët në territorin e Komunës së Dibrës se më datë 04.06.2026 (e enjte), nga ora 18:00 deri në ora 06:00, do të kryhet dezinsektim tokësor kundër mushkonjave.
Dezinsektimi do të realizohet nga kompania TRULI NOLEN NM LLC me aparat ULV dhe do të përfshijë sipërfaqet e gjelbra, bregun e Liqenit të Dibrës, deponitë dhe zonat përreth, si dhe vendbanimet e parapara në plan.

Lutën bletarët që të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e bletëve gjatë kohës së dezinsektimit.
Në rast të kushteve të pafavorshme atmosferike, dezinsektimi do të shtyhet për ditën e parë të përshtatshme.

Aksion Ekologjik

Sot, përmes aksionit ekologjik të organizuar në komunën tonë, dëshmuam se me bashkëpunim mund të bëjmë ndryshime pozitive për mjedisin dhe qytetin tonë.

Falënderoj sinqerisht të gjithë qytetarët, vullnetarët, organizatat, bizneset dhe institucionet lokale që kontribuuan në këtë aktivitet. Angazhimi juaj është dëshmi e përgjegjësisë dhe kujdesit për qytetin tonë.

Le të vazhdojmë të kujdesemi për pastërtinë e hapësirave publike dhe të ndërtojmë së bashku një mjedis më të pastër, më të gjelbër dhe më të shëndetshëm për të gjithë.

Faleminderit për kontributin dhe mbështetjen tuaj!

Urime ditën ndërkombetare të Romëve

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve (8 Prill) , Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, ju uron këtë ditë të veçantë, duke shprehur respektin dhe vlerësimin për kulturën, traditat dhe kontributin e çmuar të komunitetit rom në jetën e qytetit tonë.

Komuniteti rom është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë, duke kontribuar vazhdimisht në zhvillimin kulturor dhe social. Kjo ditë na rikujton rëndësinë e barazisë, respektit dhe bashkëjetesës si vlera themelore për një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Kryetari i Komunës së Dibrës mbetet i përkushtuar për të mbështetur integrimin, arsimin dhe mirëqenien e komunitetit rom, duke siguruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Gëzuar 8 Prillin – Ditën Botërore të Romëve!

8 Marsi, Ditës Ndërkombëtare e Gruas

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, u shpreh urimet më të sinqerta për të gjitha gratë dhe vajzat.

Kjo ditë është një moment për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për rolin e rëndësishëm që gratë kanë në familje dhe në shoqëri, si dhe për kontributin e tyre të vazhdueshëm në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

Me këtë rast, Kryetari Mela uroi që kjo ditë të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e barazisë, respektit dhe mbështetjes së vazhdueshme për gratë në çdo fushë të jetës.

🌷 Gëzuar 8 Marsin të gjitha grave dhe vajzave!

Respekt dhe mirënjohje për kontributin tuaj në shoqëri.

7 Marsi,Dita e Mësuesit

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në mungesë të Kryetarit të Komunës së Dibrës, i cili ndodhet në një udhëtim zyrtar, Kryetari i Këshillit të Komunës së Dibrës, z. Afrim Kërkuti, vendosi buqeta me lule në Monumentin e ABC-së pranë busteve që simbolizojnë arsimin dhe kontributin e figurave të shquara të kombit tonë si Said Najdeni dhe Josif Bagerit.

Ky akt simbolik u realizua në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën dhe sakrificën e atyre që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe përhapjen e dijes në gjuhën shqipe. Përmes këtij gjesti, Komuna e Dibrës nderon trashëgiminë e çmuar arsimore dhe kujton me krenari personalitetet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.

Skip to content