Lajme nga Komuna

Deratizimi dhe dezinsektimit në qytetin e Dibrës

Me sukses u realizua faza e parë e deratizimit dhe dezinsektimit në qytetin e Dibrës, ku u trajtuan 150 pusetat e rrjetit të kanalizimit. Njëkohësisht u krye edhe dezinsektimi kundër mushkonjave në të gjithë territorin e komunës, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe krijimin e kushteve më të sigurta për qytetarët.

NJOFTIM Për: SHOQATËN E BLETARËVE

Njoftohen të gjithë bletarët në territorin e Komunës së Dibrës se më datë 04.06.2026 (e enjte), nga ora 18:00 deri në ora 06:00, do të kryhet dezinsektim tokësor kundër mushkonjave.
Dezinsektimi do të realizohet nga kompania TRULI NOLEN NM LLC me aparat ULV dhe do të përfshijë sipërfaqet e gjelbra, bregun e Liqenit të Dibrës, deponitë dhe zonat përreth, si dhe vendbanimet e parapara në plan.

Lutën bletarët që të marrin masat e nevojshme për mbrojtjen e bletëve gjatë kohës së dezinsektimit.
Në rast të kushteve të pafavorshme atmosferike, dezinsektimi do të shtyhet për ditën e parë të përshtatshme.

Aksion Ekologjik

Sot, përmes aksionit ekologjik të organizuar në komunën tonë, dëshmuam se me bashkëpunim mund të bëjmë ndryshime pozitive për mjedisin dhe qytetin tonë.

Falënderoj sinqerisht të gjithë qytetarët, vullnetarët, organizatat, bizneset dhe institucionet lokale që kontribuuan në këtë aktivitet. Angazhimi juaj është dëshmi e përgjegjësisë dhe kujdesit për qytetin tonë.

Le të vazhdojmë të kujdesemi për pastërtinë e hapësirave publike dhe të ndërtojmë së bashku një mjedis më të pastër, më të gjelbër dhe më të shëndetshëm për të gjithë.

Faleminderit për kontributin dhe mbështetjen tuaj!

Urime ditën ndërkombetare të Romëve

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Romëve (8 Prill) , Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, ju uron këtë ditë të veçantë, duke shprehur respektin dhe vlerësimin për kulturën, traditat dhe kontributin e çmuar të komunitetit rom në jetën e qytetit tonë.

Komuniteti rom është një pjesë e rëndësishme e shoqërisë sonë, duke kontribuar vazhdimisht në zhvillimin kulturor dhe social. Kjo ditë na rikujton rëndësinë e barazisë, respektit dhe bashkëjetesës si vlera themelore për një shoqëri të drejtë dhe gjithëpërfshirëse.

Kryetari i Komunës së Dibrës mbetet i përkushtuar për të mbështetur integrimin, arsimin dhe mirëqenien e komunitetit rom, duke siguruar mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët.
Gëzuar 8 Prillin – Ditën Botërore të Romëve!

8 Marsi, Ditës Ndërkombëtare e Gruas

8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, u shpreh urimet më të sinqerta për të gjitha gratë dhe vajzat.

Kjo ditë është një moment për të shprehur mirënjohjen dhe respektin për rolin e rëndësishëm që gratë kanë në familje dhe në shoqëri, si dhe për kontributin e tyre të vazhdueshëm në ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë.

Me këtë rast, Kryetari Mela uroi që kjo ditë të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e barazisë, respektit dhe mbështetjes së vazhdueshme për gratë në çdo fushë të jetës.

🌷 Gëzuar 8 Marsin të gjitha grave dhe vajzave!

Respekt dhe mirënjohje për kontributin tuaj në shoqëri.

7 Marsi,Dita e Mësuesit

Me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në mungesë të Kryetarit të Komunës së Dibrës, i cili ndodhet në një udhëtim zyrtar, Kryetari i Këshillit të Komunës së Dibrës, z. Afrim Kërkuti, vendosi buqeta me lule në Monumentin e ABC-së pranë busteve që simbolizojnë arsimin dhe kontributin e figurave të shquara të kombit tonë si Said Najdeni dhe Josif Bagerit.

Ky akt simbolik u realizua në shenjë respekti dhe mirënjohjeje për veprën dhe sakrificën e atyre që kanë kontribuar në zhvillimin e arsimit dhe përhapjen e dijes në gjuhën shqipe. Përmes këtij gjesti, Komuna e Dibrës nderon trashëgiminë e çmuar arsimore dhe kujton me krenari personalitetet që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.

Vizitë zyrtare në Ljubljanë

🇸🇮

Sot, kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, realizoi një vizitë zyrtare në Komunën e Ljubljanës, ku u prit në takim nga kryetari i qytetit, z. Zoran Janković.

Gjatë takimit u diskutua për përvojat dhe praktikat në menaxhimin modern të qyteteve, zhvillimin urban dhe organizimin e shërbimeve komunale.

Ljubljana përfaqëson një shembull shumë të mirë të menaxhimit të qëndrueshëm të qytetit, veçanërisht në aspektin e pastërtisë së qytetit, planifikimit urban, transportit publik dhe menaxhimit të hapësirave publike.

Në kuadër të vizitës, delegacioni zhvilloi gjithashtu takim edhe me zëvendëskryetarin e Ljubljanës, z. Dejan Crnek, si dhe me shefin e sektorit për mbrojtjen e mjedisit, ku u diskutua për politikat dhe praktikat që qyteti i Ljubljanës zbaton në fushën e mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.

Ishte një kënaqësi e veçantë që u realizua kjo vizitë zyrtare dhe që u krijua mundësia për shkëmbim përvojash që mund të jenë të dobishme për zhvillimin e mëtejshëm të Komunës së Dibrës.

🤝 Falënderojmë për mikpritjen dhe bashkëpunimin!

Asfaltimi i rrugës në fshatin Kosovrast i poshtëm

Pas plotësimit të të gjitha kushteve të nevojshme teknike dhe administrative, kanë nisur punimet në të gjitha pjesët e mbetura të projekteve, dhe shumë shpejt do të përfundojmë me asfaltimin në të gjitha segmentet e planifikuara.

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, inspektoi nga afër punimet për asfaltimin e rrugës në fshatin Kosovrast i Poshtëm, duke ndjekur ecurinë dhe cilësinë e realizimit të projektit. Gjatë inspektimit, ai u informua nga ekipet teknike për dinamikën e punimeve dhe fazat përfundimtare të asfaltimit.

Ky projekt është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Komunës së Dibrës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe krijimin e kushteve më të mira për qarkullim të sigurt dhe të lehtë për banorët e fshatit Kosovrast i Poshtëm. Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar që investimet në infrastrukturë të realizohen me cilësi dhe brenda afateve të përcaktuara, me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe zhvillimin e barabartë të të gjitha zonave të komunës.

Iftar i organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP)

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, mori pjesë në iftarin e organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP).

Në frymën e Ramazanit, u diskutua për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, me qëllim përmbushjen e nevojave të qytetarëve .

Me këtë rast, z. Mela uroi që Ramazani të sjellë paqe, shëndet dhe mirësi në çdo familje.

Skip to content