Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, priti sot në një takim zyrtar Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali.

Gjatë takimit në kabinetin e Kryetarit u diskutua për projektet zhvillimore të komunës, investimet infrastrukturore dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional në realizimin e projekteve me rëndësi për qytetarët e Dibrës.

Pas takimit, Kryetari Mela dhe Zëvendëskryeministri Sali zhvilluan një inspektim në terren të punimeve që po realizohen në dy projekte të rëndësishme infrastrukturore: rruga te Bulevardi i Ri dhe rruga në lagjen Venec 2, ku paralelisht po ndërtohet edhe rrjeti i kanalizimit fekal.

Këto investime, të cilat po realizohen sipas standardeve më të larta të ndërtimit, përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës lokale. Pas shumë vitesh pritjeje, banorëve të këtyre lagjeve po u bëhet realitet një kërkesë e kahershme, duke u siguruar rrugë moderne dhe infrastrukturë cilësore që do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës.

Kryetari Fisnik Mela theksoi se Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, ndërsa falënderoi institucionet qendrore për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtyre investimeve me rëndësi për komunën.

Skip to content