Author: diberkomuna

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, priti sot në një takim zyrtar Zëvendëskryeministrin e Parë dhe Ministrin për Çështje Evropiane, z. Bekim Sali.

Gjatë takimit në kabinetin e Kryetarit u diskutua për projektet zhvillimore të komunës, investimet infrastrukturore dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional në realizimin e projekteve me rëndësi për qytetarët e Dibrës.

Pas takimit, Kryetari Mela dhe Zëvendëskryeministri Sali zhvilluan një inspektim në terren të punimeve që po realizohen në dy projekte të rëndësishme infrastrukturore: rruga te Bulevardi i Ri dhe rruga në lagjen Venec 2, ku paralelisht po ndërtohet edhe rrjeti i kanalizimit fekal.

Këto investime, të cilat po realizohen sipas standardeve më të larta të ndërtimit, përfaqësojnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të infrastrukturës lokale. Pas shumë vitesh pritjeje, banorëve të këtyre lagjeve po u bëhet realitet një kërkesë e kahershme, duke u siguruar rrugë moderne dhe infrastrukturë cilësore që do të përmirësojnë ndjeshëm kushtet e jetesës.

Kryetari Fisnik Mela theksoi se Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, ndërsa falënderoi institucionet qendrore për mbështetjen dhe bashkëpunimin në realizimin e këtyre investimeve me rëndësi për komunën.

Shënimi i 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Kënaqësi dhe nder i veçantë të marr pjesë në shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, një jubile që simbolizon lirinë, demokracinë dhe vlerat universale.

Me këtë rast, shpreh urimet më të sinqerta për popullin amerikan, si dhe mirënjohjen për miqësinë dhe partneritetin e fuqishëm ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe vendit tonë.

Falënderoj përfaqësuesit e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për praninë e tyre dhe për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja i ka dhënë zhvillimit të demokracisë, institucioneve dhe perspektivës euroatlantike të vendit.

Për Dibrën, kjo festë ka një domethënie të veçantë. Mijëra bashkëqytetarë tanë jetojnë dhe veprojnë në Shtetet e Bashkuara, duke ndërtuar me dinjitet jetën e tyre, por duke mbetur gjithmonë të lidhur ngushtë me vendlindjen. Kontributi i diasporës sonë për familjet, komunitetin dhe zhvillimin e Dibrës është i çmuar dhe meriton respektin e mirënjohjen tonë të përhershme.

Le të vazhdojmë të forcojmë urat e bashkëpunimit me diasporën dhe me miqtë tanë amerikanë, në frymën e partneritetit, respektit dhe vlerave të përbashkëta.

🇺🇸 Urime 250-vjetori i Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

NIS ASFALTIMI I RRUGËS “FUAD DIBRA” (ISH “1 MAJI”) – LAGJJA NAMAZJAR

Pas shumë e shumë pritjesh, një projekt i rëndësishëm për Lagjen Namazjar po bëhet realitet!

🟢 Komuna e Dibrës ka nisur asfaltimin e rrugës “Fuad Dibra”, me gjatësi prej 700 metrash, duke sjellë një transformim të plotë të kësaj zone urbane.

Ky investim nuk është vetëm asfaltim, është një ndërhyrje e thellë infrastrukturore që përfshin:

✔️ Asfaltim të plotë të rrugës

✔️ Kanalizim atmosferik

✔️ Kanalizim fekal (pjesërisht)

✔️ Rregullim të pusetave

✔️ Ndërhyrje në rrjetin e ujësjellësit

Nga një rrugë e lënë pas dore për vite me radhë, drejt një arterie moderne që rrit sigurinë, dinjitetin dhe cilësinë e jetës për banorët.

Ky është vetëm fillimi i një faze të re zhvillimi, ku fjala kthehet në vepra dhe pritjet e gjata marrin fund me punë konkrete në terren. 🚧

Moment historik për qytetin e Dibrës!

Sot u shënua një nga momentet më të rëndësishme për Dibrën dhe gjithë rajonin kufitar, me nënshkrimin e marrëveshjes për implementimin e modelit One Stop Shop ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë. 🇲🇰🤝🇦🇱

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, dhe Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Shqipërisë, Besfort Lamallari. Në takim morën pjesë edhe drejtorët e përgjithshëm të policive të të dy vendeve, si dhe drejtues të sektorëve përgjegjës, duke konfirmuar gatishmërinë për zbatimin e shpejtë të kësaj marrëveshjeje.

Modeli One Stop Shop do të thotë më pak pritje në kufi, procedura më të shpejta, lëvizje më e lirë për qytetarët dhe një bashkëpunim më efikas ndërmjet institucioneve të dy shteteve.

Për Dibrën, kjo nuk është thjesht një marrëveshje administrative. Është një investim në zhvillimin ekonomik, turizmin, tregtinë dhe lidhjen më të fortë mes qytetarëve në të dy anët e kufirit.

Tashmë presim që, në një afat shumë të shkurtër, të nisë edhe implementimi praktik i modelit One Stop Shop, duke e kthyer këtë marrëveshje në një realitet të prekshëm për çdo qytetar. Nga premtimet po kalojmë te veprat, në shërbim të Dibrës dhe të ardhmes së saj.

Takime koordinuese për projektin ReWaste në Dibër

Javën e kaluar, përfaqësues të Qendrës për Mirëkuptim dhe Bashkëpunim Institucional – QMBI dhe Komunës së Dibrës zhvilluan takime koordinuese në kuadër të projektit ReWaste.

Takimet u zhvilluan me Kryetarin e Komunës së Dibrës dhe vazhduan me drejtorët e tri shkollave publike në Dibër.

Qëllimi i takimeve ishte koordinimi i aktiviteteve të ardhshme të projektit, forcimi i bashkëpunimit me institucionet arsimore lokale dhe përfshirja e komunitetit në nisma që lidhen me menaxhimin e mbeturinave, mbrojtjen e mjedisit dhe ndërgjegjësimin qytetar.

Projekti ReWaste zbatohet në kuadër të Programit Interreg VI-A IPA “Greqi – Maqedoni e Veriut 2021–2027” dhe bashkëfinancohet nga Bashkimi Evropian.

—-

Nis realizimi i projektit për ndërtimin e parkingjeve publike në Dibër

Komuna e Dibrës ka filluar zbatimin e një prej projekteve të rëndësishme infrastrukturore për qytetin, ndërtimin e parkingjeve publike, me qëllim përmirësimin e qarkullimit, rritjen e sigurisë në komunikacion dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët dhe vizitorët.

Projekti bazë për parkingjet në qytetin e Dibrës (Libri 1 – Parkingu 2 dhe Parkingu 3) paraqet një investim me vlerë të përgjithshme prej 16.215.470 denarësh, i financuar nga Komuna e Dibrës. Punimet realizohen nga kompania kontraktuese ARH Konstruksion SHPK NJP – Tetovë, ndërsa mbikëqyrja profesionale kryhet nga MG PROEKT SHPK NJP – Shkup.

Ky projekt është rezultat i angazhimit të institucioneve lokale dhe bashkëpunimit të shkëlqyer me nivelin qendror, duke dëshmuar përkushtimin e përbashkët për zhvillimin e Dibrës. Në këtë drejtim, vlerësohet mbështetja e vazhdueshme e përfaqësuesve të koalicionit VLEN, z. Bilall Kasami dhe z. Izet Mexhiti, të cilët kanë qenë mbështetës të projekteve që kontribuojnë në zhvillimin lokal dhe përmirësimin e infrastrukturës komunale.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në realizimin e projekteve konkrete që përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe krijojnë një qytet më funksional, më modern dhe më të organizuar për të gjithë.

Aksion për hapsirat publike

Falë bashkëpunimit të shkëlqyer ndërmjet Komunës së Dibrës dhe qytetarëve, janë liruar hapësira publike të zëna nga objekte pa leje.

Ky është një shembull i mirë i dialogut, mirëkuptimit dhe përgjegjësisë qytetare. Në këto hapësira do të realizohen projekte të rëndësishme për komunitetin, si parkingje publike, trotuare, ndriçim dhe gjelbërim.

Së bashku po ndërtojmë një Dibër më të rregullt, më funksionale dhe më të bukur për të gjithë.

Aktivitet praktik nga Njësia e Zjarrfikësve – Dibër

Sot në SH.F.K. “Penestia” u mbajt një aktivitet praktik nga Njësia e Zjarrfikësve – Dibër për sigurinë dhe mbrojtjen nga zjarri. Gjatë aktivitetit, mësimdhënësit dhe stafi i shkollës u njohën me mënyrën e përdorimit të pajisjeve për shuarjen e zjarrit dhe me veprimet që duhen ndërmarrë në raste emergjente. Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në organizimin e aktiviteteve të tilla, që synojnë rritjen e sigurisë në institucionet arsimore dhe kontribuojnë në edukimin dhe përgatitjen e brezave të rinj.

Deratizimi dhe dezinsektimit në qytetin e Dibrës

Me sukses u realizua faza e parë e deratizimit dhe dezinsektimit në qytetin e Dibrës, ku u trajtuan 150 pusetat e rrjetit të kanalizimit. Njëkohësisht u krye edhe dezinsektimi kundër mushkonjave në të gjithë territorin e komunës, me qëllim mbrojtjen e shëndetit publik, parandalimin e përhapjes së sëmundjeve dhe krijimin e kushteve më të sigurta për qytetarët.

Skip to content