Author: diberkomuna

Bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, mori pjesë në dy ngjarje të rëndësishme të organizuara më 9 dhe 10 dhjetor 2025 në Shkup, në kuadër të reformave rajonale për menaxhimin e mbeturinave.

Më 9 dhjetor u mbajt pritja solemne kushtuar bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku u riafirmua përkushtimi ndaj një sistemi modern dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave.

Më 10 dhjetor, komunat e rajonit të Pellagonisë dhe atij Jugperëndimor formuan zyrtarisht Bordin Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (BNMM) – një mekanizëm i ri rajonal që siguron koordinim më të mirë, planifikim afatgjatë dhe shërbime më cilësore për qytetarët.

BNMM do të ketë rol kyç në miratimin e planeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, koordinimin e mbylljes së deponive ekzistuese, mbikëqyrjen e sistemit rajonal dhe garantimin e transparencës e përfshirjes së qytetarëve.

Formimi i këtij trupi shënon fillimin e fazës së re të reformës, përfshirë hartimin e Planit Rajonal 2026–2032 dhe finalizimin e strukturave rajonale të shërbimit komunal.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në avancimin e standardeve mjedisore dhe përmirësimin e shërbimeve publike në interes të qytetarëve.

LAJMËRIM – Seanca e 3

Në mbështetje të nenit 40 të Ligjit për vetqeverisjen lokale(“ “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 5/02dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 202/2024).
Më date 09.12.2025 merret ky:        


A K T V E N D I M
PËR KONVOKIMIN E  SEANCËS SË 3 TË JASHTËZAKONSHME TË KËSHILLIT  TË KOMUNËS DIBËR    

KONVOKOHET  séance e  3 e jashtëzakonshme e Këshillit të Komunës Dibër. Seanca do të mbahet me datë 10.12.2025 (e MËRKURË)në  ora  10:00  në sallën   e   Këshillit të Komunës Dibër.

Për seancën e jashtëzakonshm propozohet ky:        

R e n d   d i t e  
1.Propozim –Vendim për ndryshim të shpërndarjes të mjeteve në buxhetin e Komunës së Dibrës për vitin 2025.
2.Propozim -Vendim për ndryshim të shpërndarjes të mjeteve në buxhetin e dotacioneve për vitin 2025.  

22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqiptar

Sot shënojmë një ndër momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – miratimin e alfabetit shqip nga Kongresi i Manastirit. Kjo ditë simbolizon unitetin, vizionin dhe vendosmërinë e rilindësve tanë, të cilët i dhanë gjuhës sonë një standard të përbashkët dhe hapën rrugën e arsimit modern shqiptar.

Alfabeti është themeli i dijes, kulturës dhe identitetit tonë. Përmes tij, brezat e sotëm e të ardhshëm mësojnë të shkruajnë historinë e tyre dhe ta çojnë përpara trashëgiminë tonë gjuhësore e kombëtare.

Le ta festojmë këtë ditë me respekt për punën e të parëve tanë dhe me përkushtim për të ruajtur, zhvilluar dhe nderuar gjuhën shqipe.

📚✨ Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqiptar!

Gjuha na bashkon. Dija na udhëheq.

Sonte, Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, mori pjesë në manifestimin të organizuar nga Qendra për Kulturë – Dibër

Sonte, Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, mori pjesë në manifestimin të organizuar nga Qendra për Kulturë – Dibër, me rastin e Ditës së Alfabetit, një ndër datat më domethënëse të historisë dhe identitetit tonë kombëtar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Mela theksoi rëndësinë që kjo ditë ka për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, si dhe vlerësoi kontributin e mësimdhënësve.

Manifestimi u pasurua me program artistik, recitime dhe prezantime kulturore të përgatitura nga institucionet arsimore dhe kulturor-artistike të qytetit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe dinjitoze festive.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve që promovojnë gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.

Sot, me rastin e daljes në pension të drejtorit të Shkollës Fillore “Riste Ristevski”, Shanija Ajroski, Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, e uroi dhe e falënderoi për kontributin e tij shumëvjeçar në arsim.

Kryetari Mela i dëshiroi z. Ajroski shëndet dhe suksese në këtë fazë të re të jetës, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tij të pandalur në zhvillimin e shkollës dhe mbështetjen e brezave të shumtë të nxënësve.

Në vend të tij, si ushtrues detyre i drejtorit, është caktuar Armend Neziri, i cili do të vazhdojë punën me përgjegjësi dhe përkushtim në drejtimin e institucionit.

Kryetari Mela shpreh mirënjohje të thellë për z. Shanija Ajroski dhe i uron suksese z. Neziri në detyrën e re.

Festivali i Fëmijëve “Bilbilat e Korabit”

Festivali i Fëmijëve “Bilbilat e Korabit” solli sërish gëzim, energji dhe talent në qytetin tonë, duke mbledhur pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare. Ky aktivitet tradicional kulturor është një moment krenarie për Dibrën dhe një urë bashkimi mes shqiptarëve kudo që janë.

Në mungesë të Kryetarit të Komunës, z. Fisnik Mela, hapjen zyrtare të festivalit e bëri Kryetari i Këshillit të Komunës së Dibrës, z. Afrim Krkuti, i cili gjithashtu pranoi mirënjohjen në emër të kryetarit.

Një falënderim i veçantë shkon dhe për Drejtorin e Festivalit, z. Zinçe Mimidinoski, i cili me përkushtimin dhe vizionin e tij ka kontribuar thellësisht në organizimin dhe realizimin e këtij festivali të dashur për fëmijët.

Urime të gjithëve fëmijëve pjesëmarrës, që me këndimet, dhe performancat e tyre kanë zbukuruar edhe më shumë këtë festival.

Pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit, hyrja e fshatit Gari u përball me një situatë të rënduar.

Si pasojë e punimeve që po zhvilloheshin në zonë, shtrati i lumit ishte e bllokuar dhe rrjedhja e ujit u devijua drejt rrugës kryesore.

Kjo solli bllokim të qarkullimit dhe krijoi rrezik serioz për objektet përreth si dhe për sigurinë e banorëve.

Sapo Komuna e Dibrës u njoftua për situatën, reagoi menjëherë duke dërguar ekipe në terren për verifikim dhe ndërhyrje. Bashkëpunimi i ngushtë mes Komunës së Dibrës, Komunës së Mavrovës Rostushës, ndërmarrjes publike “Makedonija Pat”, Njësisë së Zjarrfikësve Dibër dhe kompanisë “Ilinden” bëri të mundur marrjen e të gjitha masave të nevojshme në kohë.

Falë reagimit të koordinuar dhe punës intensive në terren, u evitua çdo rrezik i mundshëm për banorët dhe infrastrukturën, ndërsa rruga u hap dhe qarkullimi u rikthye në normalitet.

Komuna e Dibrës falënderon të gjitha institucionet dhe ekipet e angazhuara për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin profesional, duke treguar edhe një herë se siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë kryesor.

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, realizoi një takim pune me znj. Slavjanka Georgievska, Udhëheqëse e KEC Struga, dhe z. Orhan Elezovski, Udhëheqës për Lidhje të Reja në rrjetin elektrik.

Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Dibrës dhe EVN-së në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës energjetike, zhvillimit të projekteve të reja dhe përmirësimit të procesit të trajtimit të kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.

Kryetari Mela theksoi se bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për shërbimet publike është thelbësor për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe për realizimin e investimeve të qëndrueshme. Përfaqësuesit e EVN-së shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të mëtejshëm dhe për adresimin e nevojave që paraqiten nga komuniteti.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të partneriteteve institucionale dhe zbatimit të projekteve që sjellin përmirësime të prekshme për qytetarët.

Komuna e Dibrës ka pranuar furnizimin e parë prej 2,542 koshash

Komuna e Dibrës ka pranuar furnizimin e parë prej 2,542 koshash, secili me kapacitet 120 litra, të dedikuar për grumbullimin e mbeturinave të përziera. Këta kosha do të shpërndahen derë më derë në të gjithë qytetin e Dibrës dhe në fshatrat përreth.

Ky furnizim përbën njërën nga 6 pikat kryesore të projektit të mbështetur nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim – SECO, si pjesë e Programit Rajonal të Mbeturinave të Ngurta në rajonin jugperëndimor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shpërndarja e këtyre koshave do të lehtësojë ndjeshëm punën e ndërmarrjes komunale publike, do të përmirësojë shërbimet tona dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e pastërtisë së qytetit.

Ky është vetëm hapi i parë drejt objektivit tonë për ta bërë Dibrën një nga qytetet më të pastra në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Faleminderit të gjithë qytetarëve për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme!

Komuna e Dibrës

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, inspektoi sot punimet e ujësjellësit të ri për fshatin Mogorçë – një premtim që po bëhet realitet

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, inspektoi sot nga afër punimet e ujësjellësit të ri për fshatin Mogorçë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore. Projekti tashmë ndodhet në fazën e fundit të realizimit dhe pritet të sigurojë furnizim të qëndrueshëm e cilësor me ujë të pijshëm për banorët e zonës.

🔹 Ujësjellësi i ri – 3.4 km investim jetik për fshatin Mogorçë

Projekti përfshin ndërtimin e një ujësjellësi të ri me gjatësi 3.4 km, nga burimi deri te dy rezervoarët kryesorë të fshatit. Ky investim do të zgjasë në kohë dhe do të eliminojë problemet shumëvjeçare me furnizimin e ujit.

🔹 Rruga malore – qasje më e lehtë dhe shërbim më efikas

Në kuadër të një projekti tjetër të financuar nga buxheti i komunës, është realizuar hapja e rrugës malore, e cila mundëson qasje të mjeteve për mirëmbajtjen e ujësjellësit. Kjo rrugë do t’u vijë në ndihmë edhe blegtorëve të zonës, duke lehtësuar transportin drejt bjeshkëve.

Ky projekt një investim kapital i rëndësishëm për fshatin Mogorçë dëshmon përkushtimin e Komunës së Dibrës për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Komuna e Dibrës, do të vazhdojë me përkushtim punën për zhvillimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për të gjithë bashkëqytetarët tanë.

Skip to content