Author: diberkomuna

Pas reshjeve të shumta të ditëve të fundit, hyrja e fshatit Gari u përball me një situatë të rënduar.

Si pasojë e punimeve që po zhvilloheshin në zonë, shtrati i lumit ishte e bllokuar dhe rrjedhja e ujit u devijua drejt rrugës kryesore.

Kjo solli bllokim të qarkullimit dhe krijoi rrezik serioz për objektet përreth si dhe për sigurinë e banorëve.

Sapo Komuna e Dibrës u njoftua për situatën, reagoi menjëherë duke dërguar ekipe në terren për verifikim dhe ndërhyrje. Bashkëpunimi i ngushtë mes Komunës së Dibrës, Komunës së Mavrovës Rostushës, ndërmarrjes publike “Makedonija Pat”, Njësisë së Zjarrfikësve Dibër dhe kompanisë “Ilinden” bëri të mundur marrjen e të gjitha masave të nevojshme në kohë.

Falë reagimit të koordinuar dhe punës intensive në terren, u evitua çdo rrezik i mundshëm për banorët dhe infrastrukturën, ndërsa rruga u hap dhe qarkullimi u rikthye në normalitet.

Komuna e Dibrës falënderon të gjitha institucionet dhe ekipet e angazhuara për bashkëpunimin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin profesional, duke treguar edhe një herë se siguria e qytetarëve mbetet prioriteti ynë kryesor.

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, realizoi një takim pune me znj. Slavjanka Georgievska, Udhëheqëse e KEC Struga, dhe z. Orhan Elezovski, Udhëheqës për Lidhje të Reja në rrjetin elektrik.

Gjatë takimit u diskutua mbi bashkëpunimin ndërmjet Komunës së Dibrës dhe EVN-së në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës energjetike, zhvillimit të projekteve të reja dhe përmirësimit të procesit të trajtimit të kërkesave dhe ankesave të qytetarëve.

Kryetari Mela theksoi se bashkëpunimi me institucionet përgjegjëse për shërbimet publike është thelbësor për rritjen e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe për realizimin e investimeve të qëndrueshme. Përfaqësuesit e EVN-së shprehën gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të mëtejshëm dhe për adresimin e nevojave që paraqiten nga komuniteti.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar ndaj forcimit të partneriteteve institucionale dhe zbatimit të projekteve që sjellin përmirësime të prekshme për qytetarët.

Komuna e Dibrës ka pranuar furnizimin e parë prej 2,542 koshash

Komuna e Dibrës ka pranuar furnizimin e parë prej 2,542 koshash, secili me kapacitet 120 litra, të dedikuar për grumbullimin e mbeturinave të përziera. Këta kosha do të shpërndahen derë më derë në të gjithë qytetin e Dibrës dhe në fshatrat përreth.

Ky furnizim përbën njërën nga 6 pikat kryesore të projektit të mbështetur nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Agjencinë Zvicerane për Zhvillim – SECO, si pjesë e Programit Rajonal të Mbeturinave të Ngurta në rajonin jugperëndimor të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shpërndarja e këtyre koshave do të lehtësojë ndjeshëm punën e ndërmarrjes komunale publike, do të përmirësojë shërbimet tona dhe do të kontribuojë drejtpërdrejt në rritjen e pastërtisë së qytetit.

Ky është vetëm hapi i parë drejt objektivit tonë për ta bërë Dibrën një nga qytetet më të pastra në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Faleminderit të gjithë qytetarëve për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme!

Komuna e Dibrës

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, inspektoi sot punimet e ujësjellësit të ri për fshatin Mogorçë – një premtim që po bëhet realitet

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, inspektoi sot nga afër punimet e ujësjellësit të ri për fshatin Mogorçë, një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore. Projekti tashmë ndodhet në fazën e fundit të realizimit dhe pritet të sigurojë furnizim të qëndrueshëm e cilësor me ujë të pijshëm për banorët e zonës.

🔹 Ujësjellësi i ri – 3.4 km investim jetik për fshatin Mogorçë

Projekti përfshin ndërtimin e një ujësjellësi të ri me gjatësi 3.4 km, nga burimi deri te dy rezervoarët kryesorë të fshatit. Ky investim do të zgjasë në kohë dhe do të eliminojë problemet shumëvjeçare me furnizimin e ujit.

🔹 Rruga malore – qasje më e lehtë dhe shërbim më efikas

Në kuadër të një projekti tjetër të financuar nga buxheti i komunës, është realizuar hapja e rrugës malore, e cila mundëson qasje të mjeteve për mirëmbajtjen e ujësjellësit. Kjo rrugë do t’u vijë në ndihmë edhe blegtorëve të zonës, duke lehtësuar transportin drejt bjeshkëve.

Ky projekt një investim kapital i rëndësishëm për fshatin Mogorçë dëshmon përkushtimin e Komunës së Dibrës për të përmirësuar cilësinë e jetesës së qytetarëve.

Komuna e Dibrës, do të vazhdojë me përkushtim punën për zhvillimin e infrastrukturës dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për të gjithë bashkëqytetarët tanë.

Tentativë për uzurpim të pronës publike

Ditët e fundit, në zonën e Liqenit në Dibër, u konstatua një tentativë për uzurpim të pronës publike. Falë reagimit të menjëhershëm të Komunës së Dibrës dhe bashkëpunimit të strukturave përgjegjëse, hapësira publike u lirua pa vonesë, ndërsa vendi i ngjarjes u rrethua me shirita zyrtarë për të parandaluar çdo ndërhyrje të mëtejshme.

Dua të theksoj me vendosmëri se fenomene të tilla i përkasin së shkuarës. Në Komunën e Dibrës nuk do të lejojmë asnjë tentativë për keqpërdorimin e pronës së përbashkët. Reagimi institucional do të jetë i menjëhershëm, i vendosur dhe i pakompromis ndaj çdo shkeljeje që synon uzurpimin e hapësirave publike.

Prona publike për ne është e shenjtë. Ajo i përket të gjithë qytetarëve dhe do të mbrohet me përkushtim maksimal. Ne do të vijojmë të punojmë çdo ditë që as edhe një pëllëmbë tokë e komunitetit të mos keqpërdoret apo cenohet.

Ju falënderoj për bashkëpunimin dhe ju ftoj të njoftoni institucionet tona për çdo rast të dyshimtë. Së bashku, mbrojmë Dibrën dhe të ardhmen tonë të përbashkët.

I juaji, Fisnik Mela

Kryetar i Komunës Dibër.

Njoftim për qytetarët e Komunës së Dibrës

Komuna e Dibrës njofton se takimet me Kryetarin, z. Fisnik Mela, do të zhvillohen :

🗓️ çdo të martë,

🕐 nga ora 09:00 – 15:00.

Ky orar është përcaktuar për shkak të angazhimeve të shumta institucionale dhe organizimit të punëve administrative, me qëllim që qytetarëve t’u ofrohet shërbim sa më i rregullt dhe i koordinuar.

Qytetarët që dëshirojnë të realizojnë takim me Kryetarin janë të lutur të planifikojnë vizitat e tyre brenda këtij orari.

Faleminderit për mirëkuptimin!

Komuna e Dibrës

Aktivitet përkujtimor të organizuar në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Profesor Ziaudin H. Kodrës

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, mori pjesë sot në aktivitetin përkujtimor të organizuar në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Profesor Ziaudin H. Kodrës, një prej figurave më të çmuara të kulturës, historisë dhe trashëgimisë sonë dibrane e mbarëshqiptare.

Në këtë veprimtari u promovua edhe libri i tij i rëndësishëm “Studime Arbëreshe”, një kontribut i vyer që ndriçon lidhjet e thella kulturore e historike ndërmjet arbëreshëve dhe trojeve shqiptare.

Aktiviteti u organizua nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” në Tiranë, Shoqata për Histori “Dibra”, Fondacioni ALSAR si dhe Qendra e Studimeve Arbëreshe në Tiranë, të cilat bashkuan forcat për të nderuar jetën, veprën dhe trashëgiminë e një personaliteti të shquar të dijes shqiptare.

Në fjalën e tij, Kryetari Mela vlerësoi rolin e Profesor Kodrës në promovimin e identitetit dibran dhe kontributin e tij të palëkundur në studimet historike e albanologjike. Ai theksoi se Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e figurave të rëndësishme që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.

Komuna e Dibrës falënderon të gjitha organizatat për këtë nismë të vyer dhe familjen Kodra për kontributin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dibrane.

Inspektim i punimeve në rrugët lokale të Komunës së Dibrës

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, së bashku me koordinatorët e projektit nga Komuna e Dibrës, kanë inspektuar sot punimet që po zhvillohen në rrugët lokale, Sabri Karameti, Petrit Bomova dhe 1 Maji.

Ekipi zbatues po kujdeset që cilësia dhe standardet teknike të jenë në nivelin e kërkuar në projekt si dhe në afatet e parashikuara.

Kryetari Mela theksoi rëndësinë e përfundimit të këtyre projekteve infrastrukturore, të cilat do të përmirësojnë ndjeshëm qarkullimin dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

Besojmë se në një kohë të shkurtër këto rrugë do të përfundojnë dhe do të jenë në shërbim të banorëve të asaj zone.

U mbajt mbledhja konstituive e parë e Këshillit të ri Komunal

U mbajt mbledhja konstituive e parë e Këshillit të ri Komunal
Sot në Komunën e Dibrës u mbajt mbledhja konstituive e parë e Këshillit të ri Komunal, një ngjarje e rëndësishme për funksionimin institucional dhe përfaqësimin demokratik të qytetarëve tanë.
Mbledhja u zhvillua në prani të kryetarit të Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, si dhe këshilltarëve të sapozgjedhur të Këshillit Komunal.
Me shumicë votash, z. Afrim Kërkuti u zgjodh kryetar i Këshillit Komunal të Dibrës, duke marrë besimin për të udhëhequr punën e këtij organi në mandatin e ardhshëm.
Në fjalën e tij, kryetari i Komunës, z. Mela, përgëzoi anëtarët e rinj të këshillit dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të ndërsjellë ndërmjet ekzekutivit komunal dhe këshillit, në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarëve dhe zhvillimit të komunës.
Këshilli i ri Komunal i Dibrës përfaqëson vullnetin e qytetarëve për transparencë, zhvillim dhe bashkëpunim në drejtimin e ri të komunës.
.

Ceremonia e Pranim-Dorzimit dhe dhënia e çertifikatës e Kryetarit të Ri të Komunës së Dibrës dhe Këshilltarëve Komunalë


Në ambientet e Komunës së Dibrës, u zhvillua sot ceremonia zyrtare e pranim-dorzimit dhe dhënia e çertifikatës për kryetarin e ri të Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, si dhe dhënia e çertifikatave anëtarëve të rinj të Kuvendit Komunal, pas përfundimit të procesit zgjedhor.
Ceremonia u mbajt në prani të përfaqësuesve të Komisionit të Zgjedhjeve, administratës komunale, përfaqësuesve të partive politike, mediave dhe qytetarëve.
Gjatë ceremonisë, kryetari në detyrë z.Hekuran Duka dorëzoi zyrtarisht detyrën te kryetari i sapozgjedhur, duke i uruar suksese në ushtrimin e përgjegjësive dhe në realizimin e projekteve zhvillimore për komunën.
Në fjalën e tij të parë si kryetar, z. Fisnik Mela falënderoi qytetarët për besimin e dhënë dhe theksoi përkushtimin e tij për transparencë, bashkëpunim me qytetarët dhe avancimin e mirëqenies së përgjithshme në Komunën e Dibrës.
Me këtë rast, u bë edhe certifikimi zyrtar i këshilltarëve të rinj të Kuvendit Komunal, të cilët do të përfaqësojnë interesat e qytetarëve në mandatin e ardhshëm.

Skip to content