Author: diberkomuna

Konferenca historike me temë “Rruga drejt Pavarësisë së Shqipërisë”

Më 27 nëntor 2025, në ambientet e Restaurant “Uraniku” në Dibër, u zhvillua konferenca historike me temë “Rruga drejt Pavarësisë së Shqipërisë”, një ngjarje e rëndësishme kulturore e shkencore e organizuar nga Komuna Dibër në bashkëpunim me Shoqatën për Histori dhe Trashëgimi Kulturore Dibër.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe Kryetari i Komunës së Dibrës, i cili përshëndeti të pranishmit dhe vlerësoi lart rëndësinë e mbajtjes së këtyre konferencave që synojnë ruajtjen, promovimin dhe studimin e historisë sonë kombëtare. Në fjalën e tij, Kryetari theksoi se Dibra ka luajtur një rol të çmuar në proceset historike që çuan drejt shpalljes së Pavarësisë, duke nënvizuar kontributin e figurave dhe familjeve dibrane në lëvizjet atdhetare.

Konferenca u fokusua në paraqitjen e fakteve historike, studimeve dhe dëshmive që lidhen me periudhën e Rilindjes Kombëtare dhe rrugëtimin drejt 28 Nëntorit 1912, me theks të veçantë në rolin që ka luajtur treva e Dibrës. Studiues, historianë dhe të ftuar të tjerë dhanë kontributin e tyre me kumtesa dhe diskutime të vlefshme.

Bager të ri, i cili do të përdoret për nevojat e Komunës së Dibrës

Komuna e Dibrës njofton qytetarët se është pajisur me një bager të ri, i cili do të përdoret për nevojat e Komunës së Dibrës, me qëllim përmirësimin e shërbimeve komunale dhe rritjen e efikasitetit në realizimin e detyrave të përditshme.

Ky mjet i ri pune është siguruar në kuadër të projektit për përforcimin e kapaciteteve lokale, ku Komuna e Dibrës merr pjesë me bashkëfinancim prej 40%. Projekti është realizuar me mbështetjen e Qendrës për Zhvillim të Rajonit Jugperëndimor dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal, në kuadër të Programit për Zhvillim të Barabartë Rajonal.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar ndaj modernizimit të pajisjeve dhe përmirësimit të cilësisë së shërbimeve publike, me qëllim ofrimin e kushteve më të mira për qytetarët.

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, inspektoi sot nga afër punimet që po zhvillohen në segmentin e rrugës Dibër–Mavrovë

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, inspektoi sot nga afër punimet që po zhvillohen në segmentin e rrugës Dibër–Mavrovë, në afërsi të Banjave të Kosovrastit, të cilat po realizohen nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, respektivisht nga ndërmarrja publike “Rrugët e Maqedonisë”.

Në këtë pjesë të rrugës ishte paraqitur një problem serioz me hapjen e një grope, e cila kishte dëmtuar infrastrukturën rrugore dhe kishte krijuar rrezik për qarkullimin. Ekipet profesionale të “Rrugët e Maqedonisë” kanë ndërhyrë me prioritet për sanimin e problemit, mbushjen e gropës, vendosjen e shtresave mbështetëse dhe rikthimin e funksionalitetit të rrugës.

Gjatë inspektimit, Kryetari Mela u informua për dinamikën e punimeve dhe shprehu vlerësimin e tij për angazhimin institucional që po i kushtohet këtij segmenti të rëndësishëm rrugor, i cili shërben si nyje lidhëse për banorët e zonës .Ai theksoi se Komuna e Dibrës do të vazhdojë të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente shtetërore për të adresuar në kohë çdo problematikë infrastrukturore dhe për të garantuar siguri dhe cilësi më të lartë në qarkullimin rrugor.

Përfundon me sukses projekti i ujësjellësit të ri për fshatin Mogorçë

Komuna e Dibrës njofton opinionin publik se ka përfunduar me sukses projekti i ujësjellësit të ri për fshatin Mogorçë – një investim kapital i shumëpritur, i cili garanton furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm për banorët e zonës.

Projekti përfshiu ndërtimin e një ujësjellësi të ri me gjatësi 3.4 kilometra, që lidh burimin natyror me dy rezervoarët kryesorë të fshatit. Ky investim strategjik zgjidh përfundimisht problemet shumëvjeçare të mungesës dhe mungesës së rregullt të ujit për komunitetin lokal.

Përveç ujësjellësit, është realizuar edhe hapja dhe rregullimi i rrugës malore, e financuar nga buxheti i komunës, e cila mundëson qasje të mjeteve të mirëmbajtjes përgjatë gjithë vitit. Kjo infrastrukturë e re do të lehtësojë ndjeshëm edhe lëvizjen e blegtorëve dhe banorëve drejt zonave malore.

Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, thekson se ky projekt është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të komunës për të përmirësuar cilësinë e jetesës dhe për të realizuar investime të qëndrueshme në çdo lokalitet të Dibrës.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në vazhdimin e zhvillimit të infrastrukturës, modernizimin e shërbimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për të gjithë qytetarët tanë.

Bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore

Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, mori pjesë në dy ngjarje të rëndësishme të organizuara më 9 dhe 10 dhjetor 2025 në Shkup, në kuadër të reformave rajonale për menaxhimin e mbeturinave.

Më 9 dhjetor u mbajt pritja solemne kushtuar bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku u riafirmua përkushtimi ndaj një sistemi modern dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave.

Më 10 dhjetor, komunat e rajonit të Pellagonisë dhe atij Jugperëndimor formuan zyrtarisht Bordin Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (BNMM) – një mekanizëm i ri rajonal që siguron koordinim më të mirë, planifikim afatgjatë dhe shërbime më cilësore për qytetarët.

BNMM do të ketë rol kyç në miratimin e planeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, koordinimin e mbylljes së deponive ekzistuese, mbikëqyrjen e sistemit rajonal dhe garantimin e transparencës e përfshirjes së qytetarëve.

Formimi i këtij trupi shënon fillimin e fazës së re të reformës, përfshirë hartimin e Planit Rajonal 2026–2032 dhe finalizimin e strukturave rajonale të shërbimit komunal.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në avancimin e standardeve mjedisore dhe përmirësimin e shërbimeve publike në interes të qytetarëve.

LAJMËRIM – Seanca e 3

Në mbështetje të nenit 40 të Ligjit për vetqeverisjen lokale(“ “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë” nr. 5/02dhe “Gazeta Zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut” nr. 202/2024).
Më date 09.12.2025 merret ky:        


A K T V E N D I M
PËR KONVOKIMIN E  SEANCËS SË 3 TË JASHTËZAKONSHME TË KËSHILLIT  TË KOMUNËS DIBËR    

KONVOKOHET  séance e  3 e jashtëzakonshme e Këshillit të Komunës Dibër. Seanca do të mbahet me datë 10.12.2025 (e MËRKURË)në  ora  10:00  në sallën   e   Këshillit të Komunës Dibër.

Për seancën e jashtëzakonshm propozohet ky:        

R e n d   d i t e  
1.Propozim –Vendim për ndryshim të shpërndarjes të mjeteve në buxhetin e Komunës së Dibrës për vitin 2025.
2.Propozim -Vendim për ndryshim të shpërndarjes të mjeteve në buxhetin e dotacioneve për vitin 2025.  

22 Nëntori – Dita e Alfabetit Shqiptar

Sot shënojmë një ndër momentet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare – miratimin e alfabetit shqip nga Kongresi i Manastirit. Kjo ditë simbolizon unitetin, vizionin dhe vendosmërinë e rilindësve tanë, të cilët i dhanë gjuhës sonë një standard të përbashkët dhe hapën rrugën e arsimit modern shqiptar.

Alfabeti është themeli i dijes, kulturës dhe identitetit tonë. Përmes tij, brezat e sotëm e të ardhshëm mësojnë të shkruajnë historinë e tyre dhe ta çojnë përpara trashëgiminë tonë gjuhësore e kombëtare.

Le ta festojmë këtë ditë me respekt për punën e të parëve tanë dhe me përkushtim për të ruajtur, zhvilluar dhe nderuar gjuhën shqipe.

📚✨ Gëzuar Ditën e Alfabetit Shqiptar!

Gjuha na bashkon. Dija na udhëheq.

Sonte, Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, mori pjesë në manifestimin të organizuar nga Qendra për Kulturë – Dibër

Sonte, Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, mori pjesë në manifestimin të organizuar nga Qendra për Kulturë – Dibër, me rastin e Ditës së Alfabetit, një ndër datat më domethënëse të historisë dhe identitetit tonë kombëtar.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Mela theksoi rëndësinë që kjo ditë ka për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, si dhe vlerësoi kontributin e mësimdhënësve.

Manifestimi u pasurua me program artistik, recitime dhe prezantime kulturore të përgatitura nga institucionet arsimore dhe kulturor-artistike të qytetit, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe dinjitoze festive.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në mbështetjen e aktiviteteve që promovojnë gjuhën, historinë dhe kulturën shqiptare.

Sot, me rastin e daljes në pension të drejtorit të Shkollës Fillore “Riste Ristevski”, Shanija Ajroski, Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, e uroi dhe e falënderoi për kontributin e tij shumëvjeçar në arsim.

Kryetari Mela i dëshiroi z. Ajroski shëndet dhe suksese në këtë fazë të re të jetës, duke vlerësuar punën dhe përkushtimin e tij të pandalur në zhvillimin e shkollës dhe mbështetjen e brezave të shumtë të nxënësve.

Në vend të tij, si ushtrues detyre i drejtorit, është caktuar Armend Neziri, i cili do të vazhdojë punën me përgjegjësi dhe përkushtim në drejtimin e institucionit.

Kryetari Mela shpreh mirënjohje të thellë për z. Shanija Ajroski dhe i uron suksese z. Neziri në detyrën e re.

Festivali i Fëmijëve “Bilbilat e Korabit”

Festivali i Fëmijëve “Bilbilat e Korabit” solli sërish gëzim, energji dhe talent në qytetin tonë, duke mbledhur pjesëmarrës nga të gjitha trojet shqiptare. Ky aktivitet tradicional kulturor është një moment krenarie për Dibrën dhe një urë bashkimi mes shqiptarëve kudo që janë.

Në mungesë të Kryetarit të Komunës, z. Fisnik Mela, hapjen zyrtare të festivalit e bëri Kryetari i Këshillit të Komunës së Dibrës, z. Afrim Krkuti, i cili gjithashtu pranoi mirënjohjen në emër të kryetarit.

Një falënderim i veçantë shkon dhe për Drejtorin e Festivalit, z. Zinçe Mimidinoski, i cili me përkushtimin dhe vizionin e tij ka kontribuar thellësisht në organizimin dhe realizimin e këtij festivali të dashur për fëmijët.

Urime të gjithëve fëmijëve pjesëmarrës, që me këndimet, dhe performancat e tyre kanë zbukuruar edhe më shumë këtë festival.

Skip to content