Sot në Dibër u mbajt ceremonia e ndarjes së çelësave për 47 banesa sociale, të ndërtuara për qytetarët që kanë plotësuar kushtet sipas thirrjes publike dhe kritereve të përcaktuara me ligj
Në këtë aktivitet morën pjesë Kryeministri i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, Ministri i Transportit, Aleksandar Nikoloski dhe Drejtori i Përgjithshëm i Ndërmarrjes për Ndërtim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore, Marjan Stefanovski.
Banesat u ndanë për përfituesit të cilët, në përputhje me thirrjen publike, kanë përmbushur kriteret e parapara. Në mesin e tyre janë persona pa zgjidhje strehimi, fëmijë pa prindër ose pa përkujdesje prindërore pas moshës 18-vjeçare, përfitues të ndihmës minimale të garantuar, si dhe persona të prekur nga fatkeqësi natyrore.
Në fjalën e tij, Kryetari i Komunës së Dibrës shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve qeveritare ndaj qytetit, duke theksuar se projekte të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Ai veçoi gjithashtu investimet që po realizohen në Dibër, përfshirë ndërtimin e bulevardit të ri pranë kësaj ndërtese, i cili financohet në kuadër të projekteve nga kredia hungareze, me një vlerë prej rreth 2 milionë euro për Komunën e Dibrës.
Komuna e Dibrës uron të gjithë përfituesit e banesave, duke u dëshiruar shëndet, mbarësi dhe gëzim në shtëpitë e tyre të reja.













