Mirë se erdhët dhe qofshi gjithmonë i mirëpritur në Dibrën tonë, President Bajram Begaj !

Në ambientet e Komunës së Dibër u zhvillua një takim zyrtar i një rëndësie të veçantë, ku Kryetari i Komunës, z. Fisnik Mela, priti në vizitë zyrtare Shkëlqesinë e Tij, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. Presidenti Begaj shoqërohej nga Shkëlqesia e Tij, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, z. Denion Meidani.
Ky takim i frytshëm dhe mjaft domethënës për qytetin tonë na bën krenarë, pasi dëshmon për vëmendjen dhe përkushtimin institucional ndaj Dibrës dhe qytetarëve të saj. Vizita zyrtare e Presidentit Begaj përfaqëson një moment historik për komunën tonë dhe një dëshmi të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve shqiptare dhe atyre vendore.
Gjatë bashkëbisedimit para të pranishmëve u trajtuan çështje të rëndësishme që lidhen me zhvillimin e rajonit, forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar dhe perspektivën evropiane të vendit tonë. Një theks i veçantë iu kushtua infrastrukturës dhe rolit strategjik të Rruga e Arbrit, e cila dita-ditës po afron më shumë qytetarët në të dy anët e kufirit, duke lehtësuar qarkullimin, zhvillimin ekonomik dhe lidhjet vëllazërore.
Pas takimit zyrtar, në qytetin e Dibrës u shtrua iftar, ku morën pjesë përfaqësues institucionalë dhe personalitete të ndryshme. Mes të pranishmëve ishte edhe Kryetari i Bashkisë së Dibrës në Shqipëri, z. Rahim Spahiu, çka e bëri këtë ngjarje edhe më domethënëse, duke reflektuar unitetin dhe bashkëpunimin mes dy Dibrave.
Kjo vizitë do të mbetet një ngjarje e shënuar në historinë e qytetit tonë, si simbol i respektit, bashkëpunimit dhe përkushtimit për një të ardhme më të zhvilluar dhe më të bashkuar për të gjithë qytetarët.

















