Shkëlqesia e Tij, Fatih Ulusoy, Ambasador i Republikës së Turqisë në Shkup, qëndroi për vizitë zyrtare në Komunën e Dibrës.
Gjatë kësaj vizite, Ambasadori Ulusoy fillimisht u prit në takim zyrtar nga Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, ku u diskutua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve mike, mundësitë për thellimin e bashkëpunimit institucional, si dhe për projekte konkrete në fusha me interes të përbashkët, veçanërisht në kulturë, arsim, turizëm dhe zhvillim lokal.
Në kuadër të qëndrimit të tij në Dibër, Ambasadori fali namazin e xhumasë në Xhaminë “H. Vehbi Dibra”, një nga objektet më të rëndësishme fetare të qytetit.
Vizita vijoi me ndalesa në disa prej monumenteve dhe pikave karakteristike të trashëgimisë kulturore të Dibrës, përfshirë Hamami i Dibrës, shtëpitë e vjetra tradicionale dibrane, si dhe Xhamia e Hynqarit, duke u njohur nga afër me vlerat historike, arkitekturore dhe shpirtërore që e karakterizojnë qytetin tonë.
Komuna e Dibrës shpreh mirënjohje për vizitën e Shkëlqesisë së Tij dhe rikonfirmon gatishmërinë për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit me Republikën e Turqisë në të mirë të qytetarëve dhe zhvillimit të përbashkët.














