117-vjetori i Kongresit të Dibrës u shënua sot në Komunën e Dibrës

Nën organizimin e Shoqatës së Historianëve Dibran dhe me mbështetjen e Komunës së Dibrës, sot në sallën e Këshillit të Komunës së Dibrës u mbajt aktiviteti përkujtimor me rastin e 117-vjetorit të Kongresit të Dibrës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë kombëtare shqiptare.

Në këtë aktivitet morën pjesë historianë, studiues, përfaqësues institucionalë dhe qytetarë të shumtë.

Me kumtesat e tyre u paraqitën panelistët Sashenka Ndreka nga Tirana, Haki Pënezha nga Peshkopia, Qëndresa Paçuku nga Dibra, Ardian Limani nga Shkupi dhe Adhurim Kolari nga Dibra, të cilët trajtuan rëndësinë historike të Kongresit të Dibrës dhe ndikimin e tij në zhvillimin e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar.

Kongresi i Dibrës, i mbajtur në vitin 1909, zë një vend të veçantë në historinë shqiptare, pasi shënoi një moment të rëndësishëm në përpjekjet për përhapjen e arsimit në gjuhën shqipe dhe forcimin e vetëdijes kombëtare. Vendimet e këtij kongresi dhanë një kontribut të çmuar në ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, kulturës dhe identitetit shqiptar.

Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në ruajtjen, promovimin dhe nderimin e vlerave historike e kulturore, duke mbështetur aktivitete që forcojnë kujtesën historike dhe identitetin tonë kombëtar.

Skip to content