Dibra e Madhe u shndërrua në Kryeqendrën Mbarëkombëtare të Kulturës Shqiptare
Mbrëmë, Dibra dëshmoi edhe një herë rolin e saj historik dhe kulturor, duke u shndërruar në vatër të krenarisë mbarëkombëtare shqiptare. Në vendlindjen e Kryeheroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u mbajt koncerti solemn “Nga Dibra në Arbëri”, me pjesëmarrjen e artistëve më të shquar nga të gjitha trevat shqiptare, në nderim të 620-vjetorit të lindjes së Skënderbeut.
Ngjarja, e organizuar nga Komuna e Dibrës, mirëpriti personalitete të shquara politike, akademike e kulturore: deputetë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, rektorin e Universitetit të Tetovës z. Jusuf Zejneli, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë z. Denion Mejdani, dhe shumë mysafirë të tjerë nderi.
Koncerti u hap nga prof. Besiana Mehmedi me një interpretim të fuqishëm, përfshirë edhe këngën premierë kushtuar Dibrës dhe Skënderbeut. Në skenë u ngjitën edhe emra të njohur si aktori Xhevat Limani, sopranoja Mariana Leka – Mjeshtër i Madh, kori i Universitetit të Tetovës nën drejtimin e prof. Arifikmet Xhemailit, si dhe maestro Zhani Ciko, me interpretimin solemn të himnit të Evropës.
Me fjalën e tij akademike, prof. Muhamet Mala nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, theksoi mesazhin e përbashkues të figurës së Skënderbeut dhe lidhjen e tij të thellë me Dibrën.
Komuna e Dibrës falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe në veçanti drejtorin artistik z. Shkodran Tolaj, për vizionin dhe përkushtimin e tij të plotë në realizimin e kësaj mbrëmjeje të paharrueshme për Dibrën dhe gjithë kombin.



























0 Comments