Takim me përfaqësuesit e institucioneve përkatëse për të koordinuar masat parandaluese kundër përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore

Sot, më 27 Shtator 2024, në hapësirat e Komunës Dibër u zhvillua një takim me përfaqësuesit e institucioneve përkatëse për të koordinuar masat parandaluese kundër përmbytjeve dhe fatkeqësive të tjera natyrore. Në takim morën pjesë përfaqësues të Komunës Dibër, Ndërmarrjes Publike Komunale “Standard” Dibër, Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK), Stacionit Policor Dibër, Njësisë Zjarrfikëse Dibër dhe Kryqit të Kuq.

Qëllimi kryesor i takimit ishte përgatitja dhe koordinimi i veprimeve për të parandaluar rreziqet që vijnë nga përmbytjet, ngricat dhe rrëshqitjet e dheut gjatë stinës së dimrit. Komuna Dibër theksoi nevojën për monitorim të vazhdueshëm, inspektime të rregullta, dhe masa konkrete për të siguruar mbrojtjen e banorëve dhe infrastrukturës së zonës.

Diskutimi u fokusua te identifikimi i zonave më të rrezikuara nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut, veçanërisht lagjja Varosh dhe fshati Kosovrast i Epërm. U propozua monitorimi i këtyre zonave dhe angazhimi për përmirësimin e infrastrukturës. Gjithashtu, u diskutuan masat për pastrimin e rrugëve dhe kanalizimeve, si dhe përgatitja e forcave emergjente për t’u përballur me situatat e papritura.

Takimi përfundoi me angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve për një plan të përbashkët veprimi dhe koordinim të vazhdueshëm për të siguruar sigurinë e banorëve.

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *