Promovimi i pajisjeve të reja për menaxhimin e mbeturinave
Kryetari i Komunës së Dibrës mori pjesë në ngjarjen për promovimin e pajisjeve të reja për menaxhimin e mbeturinave të ngurta, në kuadër të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave, i cili synon ngritjen e një sistemi modern dhe të qëndrueshëm për mbrojtjen e mjedisit.
Në kuadër të këtij projekti, Komuna e Dibrës do të pajiset me 5 kamionë për grumbullimin dhe transportin e mbeturinave, gjë që do të përmirësojë ndjeshëm kapacitetet operacionale të shërbimeve komunale. Ky investim do t’i ndihmojë drejtpërdrejt Ndërmarrjes Komunale “Standard”, duke përmirësuar kushtet e punës dhe duke e pajisur me mjete të reja, pasi deri më tani ndërmarrja ka funksionuar vetëm me një kamion.
Me realizimin e këtij projekti pritet rritje e mbulueshmërisë së shërbimit të grumbullimit të mbeturinave, ulje e deponive të egra dhe përmirësim i përgjithshëm i pastërtisë në zonat urbane dhe rurale të komunës.
Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar ndaj zhvillimit të qëndrueshëm, mbrojtjes së mjedisit dhe përmirësimit të cilësisë së jetës së qytetarëve.





