Month: <span>May 2025</span>
Dibra e Madhe u shndërrua në Kryeqendrën Mbarëkombëtare të Kulturës Shqiptare
Mbrëmë, Dibra dëshmoi edhe një herë rolin e saj historik dhe kulturor, duke u shndërruar në vatër të krenarisë mbarëkombëtare shqiptare. Në vendlindjen e Kryeheroit Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u mbajt koncerti solemn “Nga Dibra në Arbëri”, me pjesëmarrjen e artistëve më të shquar nga të gjitha trevat shqiptare, në nderim të 620-vjetorit të lindjes së Skënderbeut.
Ngjarja, e organizuar nga Komuna e Dibrës, mirëpriti personalitete të shquara politike, akademike e kulturore: deputetë nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, rektorin e Universitetit të Tetovës z. Jusuf Zejneli, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë z. Denion Mejdani, dhe shumë mysafirë të tjerë nderi.
Koncerti u hap nga prof. Besiana Mehmedi me një interpretim të fuqishëm, përfshirë edhe këngën premierë kushtuar Dibrës dhe Skënderbeut. Në skenë u ngjitën edhe emra të njohur si aktori Xhevat Limani, sopranoja Mariana Leka – Mjeshtër i Madh, kori i Universitetit të Tetovës nën drejtimin e prof. Arifikmet Xhemailit, si dhe maestro Zhani Ciko, me interpretimin solemn të himnit të Evropës.
Me fjalën e tij akademike, prof. Muhamet Mala nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, theksoi mesazhin e përbashkues të figurës së Skënderbeut dhe lidhjen e tij të thellë me Dibrën.
Komuna e Dibrës falënderon të gjithë pjesëmarrësit dhe në veçanti drejtorin artistik z. Shkodran Tolaj, për vizionin dhe përkushtimin e tij të plotë në realizimin e kësaj mbrëmjeje të paharrueshme për Dibrën dhe gjithë kombin.



























Vizitë në terren në kuadër të projektit për menaxhimin e integruar të pyjeve
Sot realizuam një vizitë në terren në zonën pyjore të Tatar Elevcës, në territorin e Komunës së Dibrës, në kuadër të projektit “Menaxhimi i Integruar i Pyjeve përgjatë Pellgut të Lumit Drin”, i cili zbatohet nga CNVP në partneritet me ICEP Austria dhe financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
Të pranishëm në këtë vizitë ishin:
• Z. Nehat Ramadani, Drejtor i CNVP në RMV
• Z. Matthias Humenberger, Zëvendës Ambasador i Ambasadës Austriake
• Z. David Muckenhuber, Shef i Zyrës së ADA në Shqipëri
• Znj. Astrid Taus, Menaxhere Projekti nga ICEP Austria
Ky projekt është në fazën përmbyllëse dhe si rezultat i tij, në territorin e Komunës Dibër janë mbjellë 10.000 drunj dhe është dhënë një subvencion për mbështetjen e një bletarie familjare.
Pas vizitës, nga ana e Ambasadës Austriake dhe organizatës CNVP u organizua një drekë pune, ku u diskutuan mundësitë për bashkëpunim të mëtejshëm, veçanërisht në fushën e ekologjisë dhe turizmit malor.










Seanca e pestë e Këshillit Preventiv
Sot, në ambientet e Komunës së Dibrës, u zhvillua seanca e pestë e Këshillit Preventiv, në të cilën u diskutuan çështje me rëndësi për sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Në rend dite ishin këto pika kryesore:
1. Diskutim mbi masat për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e vjedhjeve dhe kërcënimeve të ndryshme;
2. Menaxhimi i mbeturinave dhe organizimi i pastrimit të qytetit gjatë sezonit veror;
3. Masa për parandalimin e zjarreve dhe kontrolli i hapësirave të hapura dhe të mbyllura;
4. Respektimi i kushteve të funksionimit dhe orarit të punës nga subjektet gastronomike;
5. Rregullimi i qarkullimit dhe parkimit të automjeteve në zonat urbane;
6. Çështje të tjera të karakterit parandalues dhe organizativ.
Gjatë seancës u miratuan disa objektiva konkrete, të cilat do të implementohen në një afat sa më optimal, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe sigurisë në qytetin tonë.
Komuna e Dibrës falënderon të gjithë pjesëmarrësit për kontributin e dhënë dhe fton qytetarët që të jenë të përfshirë dhe bashkëpunues në realizimin e këtyre qëllimeve të përbashkëta, për një Dibër më të pastër, më të sigurt dhe më të organizuar.






