Filloi rikonstruimi i ujësjellësit nga Rosoku deri ne rezervuar

Projekti më i rëndësishëm dhe më prioritar për Komunën e Dibrës, tashmë drejt realizimit.

Të dashur bashkëqytetarë, ashtu siç edhe u premtuam, se faza e parë e regullimit të ujit të pijshëm ishte e projektuar detajisht dhe me të gjitha procedurat e nevojshme të dokumentacionit teknik dhe të tenderimit, tashmë erdhi koha e implementimit dhe realizimit të saj.

Si një nga problematikat më preokupuese dhe prioritare për ne, me anë të studimit të fizibilitetit pikasëm problematikat dhe ofruam një zgjidhje me 3 faza, ku faza e parë dhe tejet e rëndësishme është segmenti nga burimi i Rosokut deri te rezervuari, e tenderuar dhe pas gjitha fazave, sipërmarrës për realizimin e punimeve doli kompania “CMC” nga Shkupi.

Komuna e Dibrës nga buxheti i saj ka ndarë mjete rreth 200 mijë euro, kapacitete vetanake të Komunës të cilat mbulojnë totalisht fazën e parë.

Ky investim është më i madhi pas 30 viteve të ndërtimit të rrjetit të rosokut me kontribut qytetar, ku si pasojë e degradimit të rrjetit janë shkaktuar humbje të mëdha në rrjet dhe prurjeve deri në rezervuarin e qytetit, parashikon ndërrimin e 64 valvulave (ventilëve), ndërtimin e 4 pusetave shtesë përveç atyre ekzistueseve, puseta shpërndarëse me dimension 4m x 5m, të pajisura me të gjitha instrumentariumin më modern për këtë qëllim. Linja prej 19.7 kilometrash që përfshin kjo fazë do preket tërësisht, dhe çdo problematikë që shkaktohet nga ky segment do zgjidhet përfundimisht me këtë ndërhyrje.

Unë si kryetar Komune jam zotuar dhe i qëndroj prapa premtimeve të mia, kjo është vetëm një nga premtimet që po realizohet por jo e fundit. Pas përfundimit të fazës së parë dhe rregullimit të ndjeshëm me problematikën e ujit të pijshëm, ne nisim procedurat dhe projektin për fazën e dytë, ju parashikojmë ndërtimin e një rezervuari të ri dhe më pas me fazën e 3 ku do prekim gjithë rrjetin shpërndarës në qytet, rrjet i cili është ndarë në 4 zona.

Me këto 3 faza problemi me ujin e pijshëm në qytet zgjidhet tërësisht, dhe përfundimi total pritet të kryhet brenda 3 viteve.

Sigurisht që për ne si komunë e Dibrës dhe për mua si kryetar i saj, preokupues kur flasim për ujin e pijshëm ky problem është edhe për viset rurale, fshatrat, për të cilat kemi paraparë investime konkrete në klorimin si dhe ndërtimin e rezervuarëve. Konkretisht, në fshatin Kosovrast të poshtëm brenda 2 muajsh lëshohet në përdorim rezervuari i ri ndërsa në Kosovrast të epërm problematika u zgjidh para 2 muajsh me rekonstruimin e rezervuarit dhe ndërrimin e valvulave. Në fshatin Mogorçë projekti teknik për ujin e pijshëm është në përgatitje e sipër ndërsa realizimi pritet të fillojë në pranverën e vitit 2022.

Në fshatrat Xhepisht dhe Otishan gjithashtu përgatitet projekti për sistemin e klorimit i cilo gjithashtu do realizohet së shpejti.

Këto ndërhyrje dhe investime në rrjetin e ujësjellësit të qytetit dhe fshatrave janë më të mëdhatë që janë bërë prej ndërtimit të tyre, si rrjedhojë e shqetësimit ndaj kësaj problematike dhe zotimit që kam dhënë para qytetarëve për ta zgjidhur këtë problem, i cili për një periudhë 3 vjeçare nuk do ekzistojë më.

Gjithmonë në shërbim të qytetarëve, i juaji, Hekuran Duka.

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *