Month: <span>November 2021</span>

Hekuran Duka kryetar i komunës Dibër

Sot nga këshilli zgjedhor, në prezencë të këshilltarëve komunal, administratës së komunës, qytetarëve, farefisit tim, familjes time, pranova edhe oficialisht çertifikatën për kryetar komune në mandatin e ardhshëm 4 vjeçar. Ju faleminderit nga zemra për votbesimin e dhënë të gjithë qytetarëve të komunës Dibër. Për mua mbetet që në bashkëpunim me ju, të realizoj premtimet e dhëna. Na priftë e mbara në këtë rrugëtim të vështirë. Zoti na ndihmoftë!

Gëzuar 28 Nëntorin

Me rastin e festës më të madhe kombëtare që gëzojmë, 28 nëntorit, ditës së mëvetësimit të Shqipërisë, ditës së flamurit kombëtar kuq e zi, Komuna e Dibrës, kryetari Hekuran Duka bashkë me këshilltarë komunalë dhe përfaqësues tjerë të Komunës vizituan dhe vendosën lule tek përmendoret e 2 figurave të mëdha historike kombëtare në Sheshin e qytetit, Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe Elez Isufi.

Festa dhe përvjetore të këtilla janë momente për të reflektuar mbi vlerat dhe sukseset që kemi shënuar ne shqiptarët si komb, e pikërisht duke vlerësuar sakrificën e heronjve tanë, kujtojmë se këto arritje shekullore janë ngritur mbi sakrificat dhe gjakun e heronjve dhe dëshmorëve.

Lavdi heronjve dhe e gëzofshim për jetë Shqiptarinë.

Ndërtimi i rrugës në fshatin turistik Banisht

Sot në inspektim të ndërtimit të një rruge në fshatin turistik Banjisht. Kjo rrugë e premtuar tash në fazën e realizimit. Projekt i komunës Dibër financuar nga programi TAV -it. Nga ky program sëshpejti do të financohen dhe do të fillojë ndërtimi edhe i 2 rrugëve të tjera lokale në komunën e Dibrës. Ju banorë të banishtit, dashtë Zoti ta përdorni me shëndet këtë infrastrukturë të rëndësishme. Gëzuar !

Filloi rikonstruimi i ujësjellësit nga Rosoku deri ne rezervuar

Projekti më i rëndësishëm dhe më prioritar për Komunën e Dibrës, tashmë drejt realizimit.

Të dashur bashkëqytetarë, ashtu siç edhe u premtuam, se faza e parë e regullimit të ujit të pijshëm ishte e projektuar detajisht dhe me të gjitha procedurat e nevojshme të dokumentacionit teknik dhe të tenderimit, tashmë erdhi koha e implementimit dhe realizimit të saj.

Si një nga problematikat më preokupuese dhe prioritare për ne, me anë të studimit të fizibilitetit pikasëm problematikat dhe ofruam një zgjidhje me 3 faza, ku faza e parë dhe tejet e rëndësishme është segmenti nga burimi i Rosokut deri te rezervuari, e tenderuar dhe pas gjitha fazave, sipërmarrës për realizimin e punimeve doli kompania “CMC” nga Shkupi.

Komuna e Dibrës nga buxheti i saj ka ndarë mjete rreth 200 mijë euro, kapacitete vetanake të Komunës të cilat mbulojnë totalisht fazën e parë.

Ky investim është më i madhi pas 30 viteve të ndërtimit të rrjetit të rosokut me kontribut qytetar, ku si pasojë e degradimit të rrjetit janë shkaktuar humbje të mëdha në rrjet dhe prurjeve deri në rezervuarin e qytetit, parashikon ndërrimin e 64 valvulave (ventilëve), ndërtimin e 4 pusetave shtesë përveç atyre ekzistueseve, puseta shpërndarëse me dimension 4m x 5m, të pajisura me të gjitha instrumentariumin më modern për këtë qëllim. Linja prej 19.7 kilometrash që përfshin kjo fazë do preket tërësisht, dhe çdo problematikë që shkaktohet nga ky segment do zgjidhet përfundimisht me këtë ndërhyrje.

Unë si kryetar Komune jam zotuar dhe i qëndroj prapa premtimeve të mia, kjo është vetëm një nga premtimet që po realizohet por jo e fundit. Pas përfundimit të fazës së parë dhe rregullimit të ndjeshëm me problematikën e ujit të pijshëm, ne nisim procedurat dhe projektin për fazën e dytë, ju parashikojmë ndërtimin e një rezervuari të ri dhe më pas me fazën e 3 ku do prekim gjithë rrjetin shpërndarës në qytet, rrjet i cili është ndarë në 4 zona.

Me këto 3 faza problemi me ujin e pijshëm në qytet zgjidhet tërësisht, dhe përfundimi total pritet të kryhet brenda 3 viteve.

Sigurisht që për ne si komunë e Dibrës dhe për mua si kryetar i saj, preokupues kur flasim për ujin e pijshëm ky problem është edhe për viset rurale, fshatrat, për të cilat kemi paraparë investime konkrete në klorimin si dhe ndërtimin e rezervuarëve. Konkretisht, në fshatin Kosovrast të poshtëm brenda 2 muajsh lëshohet në përdorim rezervuari i ri ndërsa në Kosovrast të epërm problematika u zgjidh para 2 muajsh me rekonstruimin e rezervuarit dhe ndërrimin e valvulave. Në fshatin Mogorçë projekti teknik për ujin e pijshëm është në përgatitje e sipër ndërsa realizimi pritet të fillojë në pranverën e vitit 2022.

Në fshatrat Xhepisht dhe Otishan gjithashtu përgatitet projekti për sistemin e klorimit i cilo gjithashtu do realizohet së shpejti.

Këto ndërhyrje dhe investime në rrjetin e ujësjellësit të qytetit dhe fshatrave janë më të mëdhatë që janë bërë prej ndërtimit të tyre, si rrjedhojë e shqetësimit ndaj kësaj problematike dhe zotimit që kam dhënë para qytetarëve për ta zgjidhur këtë problem, i cili për një periudhë 3 vjeçare nuk do ekzistojë më.

Gjithmonë në shërbim të qytetarëve, i juaji, Hekuran Duka.

Mesazh ngushëllimi

E rëndë dhimbja kur kuptuam lajmin e kobshëm për viktimat e aksidentit tragjik në Bullgari, aq më tepër kur mësuam se në mesin e tyre ishin edhe 4 bashkëqytetarë dibranë. E thellë plaga që shkaktoi kjo tragjedi ku mes tyre qenë shumë fëmijë, e shumica tjetër ishin të rinj. Bashkëndjejmë vuajtjen me të prekurit dhe familjarët e tyre. Lusim Zotin e Gjithëmëshirshëm që të mëshirojë shpirtrat e tye, të ngushëllojë e tju falë durim familjarëve të viktimave dhe shërim të shpejtë për të lënduarit.