Dibra – thesar natyror dhe kulturor që pret të zbulohet!
Komuna e Dibrës këtë vit po merr pjesë për herë të parë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit EMITT në Stamboll, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt promovimit ndërkombëtar të potencialeve turistike të qytetit tonë. Ky projekt po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në kuadër të panairit prezantohen bukuritë natyrore, trashëgimia kulturore, traditat dhe mikpritja karakteristike e Dibrës, duke e paraqitur qytetin si një destinacion me potencial të madh për zhvillimin e turizmit.
Në këtë panair, së bashku me një delegacion nga Maqedonia e Veriut, po marrin pjesë z. Fisnik Mela, kryetar i Komunës së Dibrës, z. Zoran Lutkov, ministër i Kulturës dhe Turizmit, si dhe z. Mendi Qyra, kryetar i Komunës së Strugës. Gjatë qëndrimit në panair, bashkëbiseduan rreth rëndësisë së promovimit të qyteteve tona në skenën ndërkombëtare të turizmit dhe mundësive që hap kjo pjesëmarrje për zhvillimin e mëtejshëm.
Gjatë panairit u zhvilluan takime edhe me shumë agjenci të ndryshme turistike, me qëllim rritjen e bashkëpunimit dhe sjelljen e sa më shumë turistëve në qytetin tonë.
Kryetari z. Mela theksoi se prezantimi i Dibrës në një panair të përmasave të tilla përbën një moment të rëndësishëm për të ardhmen e turizmit në qytet dhe për forcimin e vizibilitetit të tij si destinacion turistik.
Përmes këtij prezantimi, Dibra synon të pozicionohet si një destinacion tërheqës për turizmin natyror dhe kulturor, duke forcuar rolin e turizmit si një shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik lokal.









