Bashkëpunim ndërmjet institucioneve shtetërore
Kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, mori pjesë në dy ngjarje të rëndësishme të organizuara më 9 dhe 10 dhjetor 2025 në Shkup, në kuadër të reformave rajonale për menaxhimin e mbeturinave.
Më 9 dhjetor u mbajt pritja solemne kushtuar bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shtetërore, komunave dhe partnerëve ndërkombëtarë, ku u riafirmua përkushtimi ndaj një sistemi modern dhe të qëndrueshëm për menaxhimin e mbeturinave.
Më 10 dhjetor, komunat e rajonit të Pellagonisë dhe atij Jugperëndimor formuan zyrtarisht Bordin Ndërkomunal për Menaxhimin e Mbeturinave (BNMM) – një mekanizëm i ri rajonal që siguron koordinim më të mirë, planifikim afatgjatë dhe shërbime më cilësore për qytetarët.
BNMM do të ketë rol kyç në miratimin e planeve rajonale të menaxhimit të mbeturinave, koordinimin e mbylljes së deponive ekzistuese, mbikëqyrjen e sistemit rajonal dhe garantimin e transparencës e përfshirjes së qytetarëve.
Formimi i këtij trupi shënon fillimin e fazës së re të reformës, përfshirë hartimin e Planit Rajonal 2026–2032 dhe finalizimin e strukturave rajonale të shërbimit komunal.
Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në avancimin e standardeve mjedisore dhe përmirësimin e shërbimeve publike në interes të qytetarëve.







