Projekti ReWaste
Ekipi i Komunës së Dibrës, i udhëhequr nga Kryetari i Komunës, mori pjesë në takimin fillestar (kick-off) të projektit ReWaste, projekt ndërkufitar ndërmjet Komunës së Dibrës dhe Komunës së Voio në Greqi, i zbatuar në kuadër të Programit Interreg IPA për Bashkëpunim Ndërkufitar Greqi – Maqedonia e Veriut, i financuar nga Bashkimi Evropian.
Në kuadër të takimit u realizua edhe një takim i përbashkët mes Kryetarit të Komunës së Dibrës dhe Kryetarit të Komunës së Voio, gjatë të cilit u shkëmbyen përvoja konkrete dhe qasje institucionale lidhur me menaxhimin e mbetjeve komunale, politikat lokale mjedisore, si dhe përfshirjen e qytetarëve në proceset e sortimit dhe riciklimit. Dy kryetarët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërkufitar si një mjet i rëndësishëm për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe për shkëmbimin e praktikave të mira në nivel lokal.
Projekti ReWaste synon përmirësimin e sistemeve të menaxhimit të mbetjeve përmes zgjidhjeve inovative për sortim dhe riciklim, vendosjes së sistemeve të shpërblimit për qytetarët, si dhe promovimit të ekonomisë qarkore. Gjatë takimit u diskutuan gjithashtu aktivitetet e ardhshme dhe hapat fillestarë për zbatimin e projektit në Komunën e Dibrës.
Më shumë informacione për projektin: https://greece-northmacedonia.eu/project/rewaste/

