Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, priti në takim zyrtar Shkëlqesinë e Tij, Ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, z. Denion Meidani.
Takimi u zhvillua në një atmosferë të hapur bashkëpunimi, duke reflektuar marrëdhëniet gjithnjë e më të mira ndërinstitucionale dhe interesin e përbashkët për zhvillimin e rajonit.
Gjatë bisedës, Kryetari Mela theksoi rëndësinë e projekteve ndërkufitare dhe veçanërisht përparimin drejt funksionalizimit të pikës “One Stop” në kufi, një hap i rëndësishëm për lehtësimin e qarkullimit të automjeteve, shkurtimin e procedurave dhe rritjen e efikasitetit në lëvizjen e qytetarëve mes dy vendeve. Ai u shpreh se kjo nismë do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e bashkëpunimit ekonomik, turizmit dhe shkëmbimeve të përditshme mes Dibrës dhe zonave përreth.
Ambasadori Meidani vlerësoi punën e Komunës së Dibrës dhe konfirmoi mbështetjen e vazhdueshme të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë për projektet që përmirësojnë infrastrukturën dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Ai shprehu bindjen se pika “One Stop” do të jetë një prej arritjeve më të prekshme për qytetarët dhe një model bashkëpunimi rajonal.
Të dy palët ranë dakord të thellojnë komunikimin dhe të nxisin projekte të reja që i shërbejnë zhvillimit të qëndrueshëm dhe lehtësimit të jetës së qytetarëve të të dy vendeve.


