Aktivitet përkujtimor të organizuar në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Profesor Ziaudin H. Kodrës
Kryetari i Komunës së Dibrës, z. Fisnik Mela, mori pjesë sot në aktivitetin përkujtimor të organizuar në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Profesor Ziaudin H. Kodrës, një prej figurave më të çmuara të kulturës, historisë dhe trashëgimisë sonë dibrane e mbarëshqiptare.
Në këtë veprimtari u promovua edhe libri i tij i rëndësishëm “Studime Arbëreshe”, një kontribut i vyer që ndriçon lidhjet e thella kulturore e historike ndërmjet arbëreshëve dhe trojeve shqiptare.
Aktiviteti u organizua nga Shoqata “Bashkësia Dibrane” në Tiranë, Shoqata për Histori “Dibra”, Fondacioni ALSAR si dhe Qendra e Studimeve Arbëreshe në Tiranë, të cilat bashkuan forcat për të nderuar jetën, veprën dhe trashëgiminë e një personaliteti të shquar të dijes shqiptare.
Në fjalën e tij, Kryetari Mela vlerësoi rolin e Profesor Kodrës në promovimin e identitetit dibran dhe kontributin e tij të palëkundur në studimet historike e albanologjike. Ai theksoi se Komuna e Dibrës mbetet e përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e figurave të rëndësishme që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.
Komuna e Dibrës falënderon të gjitha organizatat për këtë nismë të vyer dhe familjen Kodra për kontributin e tyre të vazhdueshëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dibrane.



















































