Komuna e Dibrës pati nderin të mirëpriste një grup ambasadorësh të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Sot, Komuna e Dibrës pati nderin të mirëpriste një grup ambasadorësh të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga Shkëlqesia e tij, Denion Meidani, Ambasador i Republikës së Shqipërisë. Delegacioni përfshinte gjithashtu:
• Shkëlqesia e tij, Rafael Soriano Ortiz, Ambasador i Mbretërisë së Spanjës
• Shkëlqesia e tij, Paolo Palminteri, Ambasador i Italisë
• Shkëlqesia e tij, Jaroslav Ludva, Ambasador i Çekisë
• Shkëlqesia e tij, Andrash Klajn, Ambasador i Hungarisë
Ky ishte një takim i nivelit të lartë, që dëshmoi një interes të veçantë për komunën tonë. Për ne, kjo vizitë përbën një moment historik, pasi një delegacion i tillë diplomatik nuk ishte pritur më parë në Dibër.
Në pritjen zyrtare nga ana e komunës morën pjesë: Deputeti i Zonës Nr. 5 z. Musa Xhaferi, Kryetari i Këshillit Komunal z. Fuat Spahiu, Sekretari i Komunës z. Ylli Mirzo, Znj. Adelina Ramadani nga njësia për Resurse Njerëzore në komunë.
Gjatë takimit, u diskutua mbi mundësitë investuese që ofron Komuna e Dibrës, bazuar në resurset e saj natyrore dhe projektet që janë duke u realizuar apo planifikohen në të ardhmen në fusha të ndryshme të zhvillimit. Ambasadorët shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe theksuan vlerësimin e tyre për punën e bërë deri më tani.
Një tjetër aspekt që la përshtypje pozitive tek ambasadorët ishte bukuria natyrore e Dibrës, si dhe potenciali i saj zhvillimor. Ata shprehën dëshirën që në takimet e ardhshme të diskutohen hapa konkretë për bashkëpunim.
Pas takimit, vizita vazhdoi me një shëtitje në këmbë në qendër të qytetit, ku delegacioni pati mundësinë të vizitojë Muzeun e Qytetit dhe Xhaminë e Hynqarit, e cila daton që nga viti 1467. Kjo vizitë shënoi një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e mundësive të reja për zhvillimin e komunës sonë.

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Skip to content