Month: <span>February 2025</span>

Komuna e Dibrës pati nderin të mirëpriste një grup ambasadorësh të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut

Sot, Komuna e Dibrës pati nderin të mirëpriste një grup ambasadorësh të akredituar në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të udhëhequr nga Shkëlqesia e tij, Denion Meidani, Ambasador i Republikës së Shqipërisë. Delegacioni përfshinte gjithashtu:
• Shkëlqesia e tij, Rafael Soriano Ortiz, Ambasador i Mbretërisë së Spanjës
• Shkëlqesia e tij, Paolo Palminteri, Ambasador i Italisë
• Shkëlqesia e tij, Jaroslav Ludva, Ambasador i Çekisë
• Shkëlqesia e tij, Andrash Klajn, Ambasador i Hungarisë
Ky ishte një takim i nivelit të lartë, që dëshmoi një interes të veçantë për komunën tonë. Për ne, kjo vizitë përbën një moment historik, pasi një delegacion i tillë diplomatik nuk ishte pritur më parë në Dibër.
Në pritjen zyrtare nga ana e komunës morën pjesë: Deputeti i Zonës Nr. 5 z. Musa Xhaferi, Kryetari i Këshillit Komunal z. Fuat Spahiu, Sekretari i Komunës z. Ylli Mirzo, Znj. Adelina Ramadani nga njësia për Resurse Njerëzore në komunë.
Gjatë takimit, u diskutua mbi mundësitë investuese që ofron Komuna e Dibrës, bazuar në resurset e saj natyrore dhe projektet që janë duke u realizuar apo planifikohen në të ardhmen në fusha të ndryshme të zhvillimit. Ambasadorët shprehën gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në realizimin e projekteve infrastrukturore dhe theksuan vlerësimin e tyre për punën e bërë deri më tani.
Një tjetër aspekt që la përshtypje pozitive tek ambasadorët ishte bukuria natyrore e Dibrës, si dhe potenciali i saj zhvillimor. Ata shprehën dëshirën që në takimet e ardhshme të diskutohen hapa konkretë për bashkëpunim.
Pas takimit, vizita vazhdoi me një shëtitje në këmbë në qendër të qytetit, ku delegacioni pati mundësinë të vizitojë Muzeun e Qytetit dhe Xhaminë e Hynqarit, e cila daton që nga viti 1467. Kjo vizitë shënoi një hap të rëndësishëm për forcimin e marrëdhënieve diplomatike dhe hapjen e mundësive të reja për zhvillimin e komunës sonë.

THIRRJE PËR KRIJIMIN E KËSHILLIT NISMËTAR

Në bazë të nenit 36 dhe 48 të Ligjit për vetëqeverisje lokale(“Gazeta Zyrtare e RMV-së” nr. 5/02 ), dhe nenit 16,17,18 të Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore (“Gazeta Zyrtare e RMV-së” nr.10/2020, 16.01.2020), dhe sipas nenit 56 të Statutit të Komunës së Dibrës shpallet:  

THIRRJE PËR KRIJIMIN E KËSHILLIT NISMËTAR  

Komuna shpall Thirrje publike për krijimin e Këshillit Nismëtar (KN) në bazë të nenit 17 të Ligjit për Pjesëmarrjen e të Rinjve dhe Politikat Rinore. Këshilli Nismëtar është një grup joformal që ka për qëllim të konsultojë të rinjtë dhe të përfaqësojë interesat e tyre në krijimin e Këshillit. Numri i anëtarëve të Këshillit Nismëtar është pesë dhe vetëm ata anëtarë kanë rolin për të formuar Kuvendin Lokal të të Rinjve. Kohëzgjatja e KN-së është afatshkurtër dhe përfundon me thirrjen e Kuvendit të parë Lokal të të Rinjve. Komuna është e ngarkuar me përzgjedhjen e tyre, ndërsa puna e tij koordinohet dhe ndihmohet nga nëpunësi/ja për të rinjtë në komunë. Roli dhe detyrat e Këshillit Nismëtar:
• Mbështetje për Komunën në krijimin ose rishikimin e akteve dhe vendimeve që e rregullojnë krijimin dhe funksionimin e KRL-së,
• Shpallja e thirrjes për Kuvendin konstituiv Lokal të të Rinjve në përputhje me Statutin e komunës, sipas parimit të publicitetit dhe transparencës,
• Bashkëpunimi me komunën në organizimin dhe mbajtjen e Kuvendit konstituiv Lokal të të Rinjve KN mund të përfshijë organizata rinore, organizata për të rinjtë, forume rinore të partive politike, organizata të nxënësve dhe të studentëve dhe forma të tjera të bashkimit rinor që veprojnë dhe funksionojnë në territorin e Komunës dhe që duan të marrin pjesë në themelimin e Këshillit. Dokumentet e detyrueshme:  
• Portofoli i organizatës/grupit/shoqatës,
• Programi vjetor i punës,
• Raporti mbi aktivitetet me të rinjtë gjatë vitit të kaluar,
• Letër me emërimin për anëtar të Këshillit Nismëtar dhe informacione për kontakt,
• Letër e shkurtër motivuese nga anëtari i propozuar dhe biografi e shkurtër.  

Mënyra e aplikimit nëpërmjet email adreses: E-maili: dibra@dibra.gov.mk
Afati për aplikim: 20 ditë nga dita e shpalljes.

Skip to content