Me datë 6 dhe 7 Gusht 2024, u shfaqën dy vatra zjarri në rrethinat e qytetit të Dibrës

Me datë 6 dhe 7 Gusht 2024, u shfaqën dy vatra zjarri në rrethinat e qytetit të Dibrës, duke shkaktuar dëme të mëdha në pyje në fshatrat Elefcë dhe Banisht, të cilët ndodhen në periferi të qytetit. Zjarri fillimisht nisi në fshatin Banisht më datë 6 gusht, ku Njësia e Zjarrfikësve Dibër arriti ta vërë nën kontroll dhe ta shuajë atë deri më datë 7 gusht. Megjithatë, në orën 11:00 të mëngjesit, një vatër tjetër zjarri u shfaq në fshatin Elefcë, 1000 metra mbi nivelin e detit dhe me një sipërfaqe prej mbi 5 km², e cila u përhap me shpejtësi për shkak të lëndës djegëse të thatë dhe të ulët, pyll dushku.

Për të ndërhyrë, u angazhuan 12 zjarrfikës, prej të cilëve 8 operonin në Elefcë dhe 4 në Banisht. Në këtë përpjekje u përfshinë gjithashtu forcat policore, përfaqësues të ndërmarrjes pyjore, forca vullnetare nga fshati Kosovrast i Epërm dhe nga Komuna Zhupë, të cilët mbështetën zjarrfikësit në terren.

Terreni i vështirë malor dhe pyjet e dendura bënë të pamundur ndërhyrjen efektive të kamionëve zjarrfikës. Për shkak të përhapjes së shpejtë të zjarrit dhe mungesës së burimeve njerëzore dhe materiale, Komandanti i Forcave Zjarrfikëse theksoi se kontrolli i zjarrit ishte i pamundur të realizohej përmes forcave tokësore.

Duke marrë parasysh situatën e rëndë, Komuna, në bashkëpunim me Qendrën për Menaxhim me Kriza (QMK) dhe Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim, urgjentisht kërkoi ndihmë nga QMK-Qendra e Situatave për të ndërhyrë nga ajri dhe për të minimizuar dëmet dhe rrezikun për jetët njerëzore.

Sot, Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK) dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH) na u përgjigjën duke vënë në dispozicion dy aeroplanë për shuarjen e zjarrit në fshatin Elefcë. Pas tre orë operimi, ata arritën ta shuajnë vatrën e zjarrit dhe ta vendosin nën kontroll situatën.

Në këtë rast, Komuna falënderon të gjitha institucionet dhe personat që u angazhuan në këtë operacion për fikjen e zjarrit. Njëherazi, i bëjmë apel qytetarëve që të kenë kujdes dhe të shmangin çdo lëvizje në pyje, pasi është gjendje e jashtëzakonshme dhe është e ndaluar ligjërisht çdo lëvizje e tillë. Çdo tentativë për shkelje të këtyre rregullave do të ndëshkohet me masa të rrepta.

Ju faleminderit për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin!

0 Comments

There are no comments yet

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *