Për Dibrën
DDibra është qytet i lashtë. Rregjistrimi më i hershëm i Dibrës është nën emrin e “Deborus” në një hartë të hartuar nga astronomi dhe hartografi Ptolemeu, në shekullin e II-të.
Perandori bizantin Basili II, e dinte për ekzistencën e tij dhe Felix Petancic e përmendi atë si “Dibri” në vitin 1502. Në periudhën kur jetonin ilirët, në rrethin e Dibrës përmendet të kenë jetuar fisi Ilir i penestëve.
Nga antikiteti, kur tokat ilire ranë nën sundimin romak, edhe Dibra mbeti pjesë e atij sundimi, ndërsa me ndarjen e Perandorisë romake, nga shekulli IV deri në shekullin XIV, Dibra ishte pjesë e Perandorisë Bizantine. Nga shek. XIV, Dibra si gjithë trojet e tjera arbërore, do të bjerë nën sundimin osman.
Në kohën e Gjergj Kastriot Skenderbeut, për shkak të pozicionit gjeografik Dibra u bë kufiti midis Perandorisë osmane dhe tokave shqiptare ku një numër i madh i betejave të Skenderbeut kundër Perandorisë otomane u zhvilluan në këtë pjesë (1443-1465).
Dibra luajti një rol të rëndësishëm në Lidhjen e Prizenit, duke pasur edhe një ndër figurar qëndrore të organizimit të saj, siç ishte Iliaz Pashë Dibra (Qoku).
Deri në vitin 1912, Dibra ka qenë një ndër qytetet më të zhvilluara në rajon si për nga aspekti ekonomik, zejtar, tregtar dhe në planin social kulturor. Në atë kohë, Dibra kishte rreth 20,000 banorë dhe 462 dyqane. Nga viti 1913, qyteti do të ketë një rënie drastike të numrit të popullsisë në vetëm 3.000 për shkak të luftimeve që u zhvilluan në këtë zone. Pas kësaj lufte, një numër i konsiderueshëm dibranësh u vendosën dhe u mikpritën në Tiranë, ku me krenari mbajtën edhe në vazhdim lidhjet me Dibrën.
Në vitin 1913 edhe përkundër rezistencës të forcave shqiptare, qyteti mbeti si pjesë e Mbretërisë së Sërbisë, kurse një pjesë e madhe e fshatrave të Dibrës mbetën në Shqipëri.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, të gjithë territoret me shumicë shqiptare, duke përfshirë këtu edhe Dibrën, u aneksuan nga Mbretëria Italiane dhe pas shtatorit të vitit 1943 kufijtë e Dibrës do të rrikthehen në ato të para luftës.
Pas Luftës së Dytë Botërore, Dibra u bë pjesë e Federatës Jugosllave. Dibra ka qenë qendër tregtie dhe zejtarie, që ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë e këtij rajoni.
Sipas ndarjes së re territoriale, Dibra është një nga komunat që i takon pjesës jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut.
Dibra s’ka dalje direkte për në det, por porti më i afërt është Durrësi (me ndërtimin e rrugës së Arbërit, Dibra do të jetë dalja më e afërt e Maqedonisë së Veriut në ujërat ndërkombëtare).
Dibra kа klimë të butë mesdhetare gjatë verës dhe klimë malore kontinentale gjatë dimrit (dimra të ftohtë dhe verë të nxehtë). Sipërfaqja e Komunës së Dibrës ka një pozitë të atillë ku bashkohen kanionet apo luginat piktoreske të lumenjve Radikë dhe Drin i Zi, të cilët derdhen në liqenin e Dibrës. Ajo është e rrethuar nga malet e Jabllanicës, Stogovës dhe Deshat.
Liqeni i Dibrës shtrihet nga HEC “Glloboçica”, nëpër luginën e lumit Drin i Zi dhe atë të Radikës deri te banjat e Kosovrastit, me gjatësi maksimale prej 22km dhe sipërfaqe prej 13km2, ndërsa vëllimi i përgjithshëm i ujit është 520milion m3 ujë. HEC Spilja, për një vit prodhon mesatarisht 300 miljon kw/h energji elektrike.
Uji i Liqenit te Dibrës shfrytëzohet edhe për ujitje, nëpërmjet sistemit hidromeliorativ në Fushën e Dibrës. Dibra ka dy burime termominerale: në fshatrat Banjisht dhe Kosovrast, të cilat janë të njohura si vende shërimi dhe numërohen ndërmjet banjave me aftësi shëruese më të njohura në Europë (për shërimin e shumë sëmundjeve). Në territorin e Komunës së Dibrës ndodhet relievi i vetëm i gipsit në Republikë, i cili shtrihet në gjatësi prej 9 km. Xehja e gipsit është e kualitetit të lartë (99%), me përmbajtje të gipsit të pastër, dhe për nga kualiteti rënditet ndërmjet atyre më kualitativë në botë.
Dibra si zonë ka potencial të lartë investimesh prodhuese dhe turistike, gjë që e ndihmon edhe një sërë investimesh të fundit nëpërmjet ndërtimit dhe hapjeve të rrugëve lidhëse të cilët i japin akses më të lehtë dhe më të shtuar për automjetet, që e bën këtë zonë si pikën lidhëse midis shumë qyteteve në mënyrë shumë më të lehtë se disa vite më herët.



