Objektet Historike

HAMAMET NË DIBËR

Dibra gjatë historisë është njohur për hamamet që janë ndërtuar nëkohën e Perandorisë Otomane. Bëhet fjalë për objekte të cilët janë dalluar me kualitetin e tyre arkitektonik dhe me materialin me të cilin janë ndërtuar. Dibra ka pasur disa hamame, por dy nga ato janë dalluar, hamami i vjetër dhe hamami i ri, që të dy janë shfrytëzuar nga dibranët për mirëmbajtjen e higjienës personale, por edhe për rekreimin e tyre.

Hamami i vjetër, sipas hulumtimeve të arkitektëve dhe historianëve, është ndërtuar qysh në shekullin e XVII. Hamami i vjetër gjendet në afërsi të xhamisë së Hinqarit, xhamia më e vjetër në Dibër. Hamami ka një godinë me arkitekturë orientale, e ndërtuar në një shesh të veçantë, në pjesën e vjetër të qytetit. Hamami ka një gabarit prej 15×15 metra katrorë, me forma të jashtme, fort të lëvizshme. Në vet hamamin ka pasur sallon që ka plafonin e një formë gjysmë harku, e pastaj renditen banjot të këtij hamami. Hamami është përdorur nga dibranët e pasur në kohën e Turqisë. Përdorimi ka qenë selektiv dhe aty nuk janë pranuar të gjithë ata të cilët kanë patur dëshirë të përdorin hamamin për higjienën individuale. Ky hamam është përdorur deri në vitet 1928-1930.

Hamami i dytë me domethënie të madhe për qytetin e Dibrës është hamami i ri, i cili është ndërtuar në afërsi të rrugës qendrore të qytetit dhe të gjithë të dhënat flasin se është ndërtuar në vitin 1872. Është ndërtuar prej materialit të fortë, gurit të gdhendur të mermerit dhe tullave të pjekura, siç ka qenë i ndërtuar edhe hamami i vjetër. Edhe ky hamam ka pasur gabarit 15×15 metra katrorë, kurse pjesa e përparme që është aneks ka gabarit 10×10 metër katror. . Përball hyrjes në pjesët e banjës, së pari ka qenë një sallon i gjerë, mes të cilit ndodhej edhe një sofër e ngritur gati në formë të gjashtëkëndëshit dhe e veshur me pllaka mermeri. Në kulmin e këtij hamami ka qenë kupola e madhe, në të cilën ka pasur të pikturuar ornamente nga bota bimore. Në kupolë ka patur një llmbë ndriçimi të gjatë, kurse karakteristike kanë qenë ballkonet e këtij hamami, ku janë bërë muhabetet dibrane. Hamami ka pasur pesë kupola dhe disa pullaze. Gjatë ndërtimit të këtij hamami janë përfshirë edhe gurë edhe mermerë që janë marrë nga disa kulla të vjetra të Dibrës, që kanë qenë në faze të rrënimit. Ai sot është kthyer në galeri arti.

Shtëpitë e vjetra Dibrane

SHTËPIA E FAMILJES EREBARA

Shtëpia në të cilën tani jeton familja Erebara është nga shtëpitë më të njohura në Dibër edhe pse e vjetër mbi 400 vjet ajo edhe sot e ruan bukurinë e saj. E tëra e gdhendur në dru nga mjeshtrit Dibran. Tavani i kësaj shtëpie ndodhet në bankënotën 100 denarëshe të Maqedonisë.

SHTËPIA E FAMILJES SELA

Shtëpia e familjes Sela në Dibër paraqet një shembull të shkëlqyeshëm të arkitekturës qytetar të shekullit të XIX. Shtëpia është ndërtuar dhe zbukuruar me stilin specifik ‘a la franga’ , ndërsa elementet karakteristike të jashtme dhe të brendshme dëshmojnë për mënyrën e jetesës të familjeve të pasura muslimane të asaj kohe. Veçanërisht i rëndësishëm dhe interesant është dekorimi i brendshëm në të cilin ndërthuren stolitë e pikturuara dhe të gdhendura, muralet, pastaj kamini specifik i dekoruar me llaç dhe dollapët e dekoruar në mënyrë të veçantë.

VARRI I HOXHOLLIT PRANË XHAMISË SË HYNQARIT

Xhamitë janë nga veprat kryesore monumentale të besimit islam. Dibra e shekullit XIX njihej si “Dibra e Madhe me 9 minare.” Më e vjetra është Xhamia e Hynqarit, e ndërtuar në vitin 1468 me urdhër të Sulltan Mahmudit II.

Në oborrin e xhamisë së Hynqarit (xhamia mbretërore)gjenden varret e shumë pashallarëve dhe njerëzve të pasur të Dibrës. Në pjesën e sipërme të varreve dallohet një ndërtesë me tetë shtylla në të cilën është varrosur familja Hoxholli, familja më e njohur feudale që ka sunduar Dibrën për më shumë se dy shekuj edhe atë pikërisht nga viti 1610 deri në vitin 1863.

MANASTIRI I RAJÇICËS

Manastiri Shën Gjergji Fitimtari në fshatin Rajçicë- Kisha Shën Gjergji Fitimtari në fshatin Rajçicë, gjendet në dy kilometra prej qytetit të Dibrës – dikur seli e Manastirit të Bigorskit, sot është manastir i urdhërit të murgeshave. Kisha është ndërtuar në vitin 1835 dhe i është kushtuar Shën Gjergji Fitimtarit.